Flash News

KRYESORE

“Opozita e bashkuar të gatshëm për t’u ulur që nesër në diskutime”, akuza Ramës dhe Gjiknurit për dezinformim

“Opozita e bashkuar të gatshëm për t’u ulur që

Opozita e bashkuar ka reaguar pak pas deklaratës së kryeministrit Rama, i cili pasi shprehu keqardhjen për humbjen e një tjetër mundësie për diskutimin e listave të hapura në tryezën e Këshillit Politik, i paralajmëroi këta të fundit se kalimi i ndryshimeve kushtetuese në parlament do të bëhet edhe pa ta.

Përmes një emaili zyrtar, dy përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare në Këshill, Oerd Bylybashi dhe Petrit Vasili, informojnë Gjiknurin se janë të gatshëm që të diskutojnë çdo çështje në Këshillin Politik, edhe pse sot nuk u arrit asnjë dakordësi mes tyre.

Opozitarët po ashtu akuzuan për dezinformim Gjiknurin dhe kryeministrin Edi Rama, ndërsa kërkojnë një mbledhje tjetër sërish ditën e nesërme rreth orës 17:00 të Këshillit Politik.

Deklarata e Plotë:

  1. Gjiknuri,

Duke ndjekur deklarimin tuaj publik dhe të Kryetarit të Partisë Socialiste, shprehim keqardhjen tonë për dezinformimin e opinionit publik në lidhje me qëndrimin e opozitës në mbledhjen e sotme të Këshillit Politik. Ne nuk kemi refuzuar të diskutojmë asnjë çështje. Opozita ka kërkuar, që çdo çështje që lidhet me zgjedhjen, të diskutohet dhe shqyrtohet në Këshill.

Sot në mëngjes në Parlament, Kryetari i Partisë Socialiste pohoi se amendamenti kushtetutes i njënanshëm që është depozituar në Kuvend, NUK NDRYSHON, sepse procedura parlamentare nuk e lejon!!! Nëse amendamenti kushtetues i njëanshëm nuk ndryshon, sepse Rregullorja e Kuvendit nuk e lejon, atëherë për çfarë po na ftoni të diskutojmë apo dialogojmë? Për një amendament që nuk ndryshon?

Ky qëndrim dhe qëndrimi juaj zyrtar sot në Këshill, dëshmon se ju nuk jeni të hapur për diskutime, ndërkohë që Opozita kërkon që diskutimi të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës, duke hequr dorë nga FAKTI I KRYER. Teoria e “faktit të kryer” shkon kundër parimeve të dialogut politik, që nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë fasadë.

Kjo është arsye që ne kërkuam që nëse ju keni një çështje që lidhet me zgjedhjet për diskutim, atë duhet ta sillni në Këshillin Politik, për t’u përfshirë të gjithë bashkë në një proces transparent dhe gjithëpërfshirës, që lejon një produkt të përbashkët dhe konsensual, dhe jo një produkt që është paracaktuar nga ana juaj dhe ku Opozita politike e vendit është e përjashtuar. Nëse produkti është i paracaktuar në mënyrë të njëanshme dhe është i pandryshueshëm siç ju shpreheni, atëherë ju ribëj me dije se po shkelni Marrëveshjen e 14 Janarit dhe 5 Qershorit, sepse po kryeni ndryshime thelbësore në legjislacionin zgjedhor pa pyetur, diskutuar dhe marrë mendimin dhe konsensusin e Opozitës politike të vendit, duke zhbërë produktin e përbashkët të 5 Qershorit.

Gjithësesi, në vijim edhe të deklarimit tuaj të pavëretë sot në media, kërkojmë mbledhjen e Këshillit Politik nesër, ora 17:00, për të vijuar dialogun, për çdo çështje, por pa cenuar marrëveshjen e 5 Qershorit.

Mbetem në pritje të konfirmimit tuaj!

Oerd Bylykbashi

Petrit Vasili

Të fundit