Flash News

OP-ED

Opozita e opozitës, problem karakteri 

Opozita e opozitës, problem karakteri 

Red Varaku

Kur një parti politike është në opozitë , ajo duhet të kontestojë dhe të kundërshtojë çdo aksion të qeverisë. Kjo mund të duket absurde për disa dhe mund të përcaktohet si e ligë nga disa të tjerë, por kjo është natyra e opozicionit dhe kjo është detyra parësore e çdo opozite . Ajo e ka për detyrë të kundërshtojë të gjitha nismat e qeverisë edhe pse për shumë qytetarë këto nisma mund të jenë konform nevojave të qytetarëve.

Kush nuk e ka kuptuar këtë nuk ka kuptuar esencën e demokracisë. Kështu që ata që e akuzojnë sot Partinë Demokratike si penguese të integrimit, sepse po kundërshton çdo nismë të qeverisë, dhe për faktin që po bën gjithçka që nismat e saj të dështojnë, jo vetëm që kanë një inteligjencë të ulët, por edhe një karakter të dyshimtë.

Këtë bëri Partia Socialiste me sukses për tetë vjet kur ishte në opozitë, dhe askush nuk e gjykon sot për këtë. Dhe mirë ka bërë, sepse lufta e hapur opozitare e Partisë Socialiste i bëri shumë mirë demokracisë dhe Shqipërisë duke sjellë një rotacion të qetë të pushtetit.

Por kur vjen në pushtet çdo opozitë duhet të reflektojë. Ajo duhet të ndryshojë ,sepse asaj i duhet të qeverisë. Ajo duhet te lërë pas retorikën e lehtë dhe shpesh iracionale opozitare. Për shkak të presionit dhe trysnisë së realitetit, ajo duhet të përshtatet edhe me disa qëndrime, të cilat deri dje i kishte denoncuar si të gabuara kur ishte në opozitë, sepse realiteti është krejt tjetër kur vjen në pushtet.

Asgjë të keqe deri këtu, por konsesusi për çështje të mëdha kombëtare është përgjegjësi dhe deyrë vetëm e qeverisë  dhe askujt tjetër. Ajo duhet te jetë gjithmone e gatshme të tolerojë dhe të hapë rrugë për një konsensus kombëtar. Sepse është në natyrën e atij që ka pushtetin të japë konsensus. Kjo është detyrë  dhe përgjegjësi vetëm e qeverisë dhe askujt tjetër. Nëse nuk e bën këtë ajo ose nuk e ka kuptuar natyrën e pushtetit, ose ka humbur arsyen dhe sensin e realitetit, është shumë afër kapitullimit. Të akuzosh opozitën pas pesë vjet qeverisjeje se po bën opozitën, jo vetëm i bën nder opozitës por është një qëndrim që të çon automatikisht në opozitë.

Të fundit