Opozita në Kosovë dorëzon në Kuvend mocionin për rrëzimin e qeverisë

Deputetët e partive politike  të Nismës për Kosovën, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, dorëzuan sot në Kuvend mocionin për rrëzimin e qeverisë së Kosovës.

Mocioni me nënshkrimin e 42 deputetëve është dorëzuar nga deputetët Pal Lekaj i AAK-së, Aida Dërguti e VV-së dhe Enver Hoti i Nismës për Kosovën.

Tani kryesia duhet të thërrasë seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, që duhet të mbahet  brenda pesë ditëve, ku do të votohet mocioni, i cili duhet të marrë 61 vota të deputetëve për ta rrëzuar qeverinë raporton Kozova Press.

Qeveria e Kosovës, e koalicionit të dy partive më të mëdha, PDK e LDK, ku përfshihen edhe parti të vogla dhe minoritetet, është zgjedhur në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.