Opozita, të dëmtuarit e shtetit dhe marifetçinjtë e pushtetit

Erion Piciri

Qeveria ka një bërë një ftesë për aleancë të gjerë me opozitën, një lloj amnistie politike ndaj kësaj fatkeqësie me autorësi shtetërore, lokale dhe qendrore. Kjo nuk duhet të ndodhë. Njerëzit i qetëson vërtetësia, qasja e qytetëruar politike, por jo aleancat e paprincipta për të intimiduar shpirtrat e revoltuar. Opozita duhet të jetë një alternativë e papërlyer ku bëhet diferenca me ata që udhëheqin. Kështu e ndihmon shoqërinë.

Opozita duhet të jetë pranë njerëzve në nevojë, por jo pranë një qeverie mëkatare. Opozita duhet të ushtrojë presion për dëmshpërblime tërësore, por jo të kthehet në patericë e një qeverie fajtore. Fatkeqësitë nuk ranë nga qielli, por nga mosfunksionimi i shtetit. E kanë konfirmuar këtë zëra me autoritet nga Tirana, Roma, Berlini dhe deri sizmologë në Washington. Nuk vret tërmeti, por paaftësia, neglizhenca dhe korrupsioni. Tani është koha për përgjegjësi politike dhe penale për pushtetarët dhe firmat e ndërtimit. Nuk mund të luash dot me jetën, pronën dhe qetësinë familjare të një populli. Duhet drejtësi për jetët e humbura, për pasuritë e shkatërruara, për një pasiguri totale mbi jetët dhe shtëpitë e gjithsecilit prej nesh. Pushteti nuk është tallje poturesh, por një mjet që përdoret me përgjegjshmëri për të afruar siguri dhe mirëqenie për çdo njeri.

Opozitës i duhet solidarizim me njerëzit e dëmtuar, por jo me ata që kanë shpërdoruar besimin e një populli, që me veprime dhe mosveprime kanë shkaktuar drama familjare dhe depresion kombëtar. Ka një dallim të madh midis konstruktivitetit e civilizimit politik dhe të qenit palë në një pazar të ri për t’ia hedhur sërish shoqërisë. Shqipëria ka rënë gjithnjë viktimë e burrave të marrë dhe hileqarë, të korruptuar dhe të paaftë, mjeshtra të manipulimit emocional, që ia hedhin paq duke qarë edhe kur dështojnë në mënyrë ekzemplare. Lotët mallëngjyese të krokodilëve të tranzicionit janë marifete aktorësh të vjetra, parendëse të dramave të reja, por ne duhet të shpëtojmë një herë e mirë nga kjo fatkeqësi e përhershme kombëtare e një lidershipi autoritar e korruptiv me pasoja kriminale.