Flash News
Tragjikomedia e AADF me Butrintin: Një i panjohur do të drejtojë bordin shkencor të fondacionit
Lejuan 37 ndërtime të paligjshme, dënohen dy kryeinspektorë dhe inspektorë të IMT në Bashkinë e Lushnjes
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
Makina përplas për vdekje këmbësorin në Fier, shoqërohet shoferi 20-vjeçar
Miratohet raporti, Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshillin e Evropës
Alfred Lela
Zhvendosja në Shkodër e trupës parlamentare të opozitës, PD dhe LSI, ditën kur hapej sesioni i ri parlamentar në Tiranë, ishte një lëvizje inteligjente. Pakica është vazhdimisht në kërkim të një kontrate me publikun, dhe mbledhja e ‘Kuvendit opozitar’ në qytetin më të madh të Veriut, të trazuar së fundmi nga një varg vrasjesh e rrëmbimesh, është një pakt i nënshkruar sot. Opozita shkoi aty ku është emergjenca dhe, pavarësisht faktit se lëvizja është taktikë politike, ajo duhet vlerësuar edhe si përpkrahje për shkodranët, të cilët janë në një ‘shtetrrethim’, të drejtuar jo prej shtetit po prej bandave.
Kjo zhvendosje i dha gjithashtu krah opozitës që, mungesën në ditën e parë të Kuvendit të mos ia kategorizojnë si bojkot. Në bojkot në raport me Shkodrën, sigurinë dhe kontrollin e territorit, në fakt, duhet konsideruar Qeveria. Sa i takon së ardhmes së raportit me parlamentin, Petrit Vasili, nënkryetar i LSI, tha se do të jetë ‘marrdhënie e kushtëzuar’, terminologji e përdorur edhe më pare, që do të thotë se çdo opsion është i hapur.
Kur konsideron LSI, dhe raportin e saj me PD, partinë më të madhe të Opozitës, një kontratë mes të dyjave është gjë e pritshme në muajt e ardhshëm, që po i shtyjnë stinët politike drejt zgjedhjeve lokale. LSI nuk është e re me kontrata të tilla: me PD ajo do ta ketë përsëritje, pa lënë ‘hatërmbetur’ edhe PS. Shkodra madje është një déjà vu për LSI sepse, pikërisht aty, 5 vjet më pare, PS dhe partia e Metës nënshkruan kontratën e bashkëqeverisjes. Në njëfarë diversioni taktik politik ndaj së djathtës, e cila besohet se e ka qendrën e pamohueshme në Shkodër (të paktën deri në zgjedhjet e 2013), Rama e Meta, ashtu si paraardhësit e tyre, përcollën ‘gjermanin e fundit’ në 1944, lanë të kutphej me atë lëvizje të 2013, se do donin të përcillnin edhe ‘të djathtin e fundit’.
Sot gjërat janë ndryshe: koalicioni PS-LSI është zhbërë, e djathta e ka ruajtur epërsinë në Shodër, ku ka fituar dhe Bashkinë, dhe, partia (tashmë) e Kryemadhit, do t’ nënshtrohet plastikës së një operacioni të ri aleancash.
Shkodra nuk është, megjithatë, e gjitha simbolikë politike. Ajo ruan brenda vetes ‘sekretin’ e të mosqeverisurit lehtë, e fundit që ka rënë para çdo pushteti në Shqipëri, edhe ashtu duke mos rënë kurrë plotësisht. Krejt ndryshe nga pjesa tjetër e Shqipërisë, që është qeverisur lehtë, deri në nënshtrim, sa më i rëndë të ketë qenë pushteti. Opozita, sigurisht, nuk mundet të mbjellë shkodranë nëpër qarqet e tjera të Shqipërisë, por inteligjencën e treguar sot me Shkodrën, mund ta mbjellë në aksionet e veta.
I duhet shumë. Edhe për faktin se aksionet e saj të deritashme kanë pasur hope inteligjence dhe stinë limontie dhe spazmash. Më inteligjentja ndër gjërat që mund të bëjnë Basha e Kryemadhi, është të mos ngjajnë me një njësit guerril, që zhduket për muaj pas një atentati, por të jenë të pranishëm çdo ditë.
Duke ndjekur një linjë, jo një kruarje.