Flash News

KRYESORE

Opozitarë, a 'gjuetarë' janë? Blushi, Bojaxhiu, Idrizi dhe Meta?

Opozitarë, a 'gjuetarë' janë? Blushi, Bojaxhiu, Idrizi

Alfred Lela

Kriza, kur vjen, nuk pyet kënd, dhe krijon aberracione politike. Qprej më shumë se një muaji, kur opozita zyrtare e këtij vendi, udhëhequr nga Partia Demokratike dhe Lul Basha, ka marrë rrugët e protestës, të cilat, si rrugët e Zotit janë të pafundme, skena dhe skenarë të rinj janë shfaqur në teatrin politik. Disa prej tyre të fabrikuar, dhe disa të tjerë të vetëprodhuar: Duna të lindura nga një tension i natyrshëm i tektonikës politike.

Natyrshmëritë burojnë nga çadra e opozitës, megjithëse qeveria me max propagandën e saj, i sheh protestës dhe rezistencës vetëm panatyrshmëri. Të bëhemi një çast sejmenë të pushtetit dhe të magjinojmë se ka të drejtë ajo dhe gabon pakica, pra opozita. Të themi, sall për të ndërtuar një argument, se opozita i ka të gjitha aktet jashtë natyrës, apo të panatyrshme. Jo veten, ama. Veten nuk mund ta ketë. Opozita është e natyrshme në natyrën e vet, në pozicionin e vet, në qenësinë e vet, në rolin e vet, në misionin e vet. Si blloku rezistent i pushtetit. Që i rri përballë atij, dhe këtë ka detyrë kryesore.

Këtu biem dakord, apo jo?

Pra, opozita është e natyrshmja. Sa kohë jemi qetësuar nga ky vlim, e këtë pikë vlimi nuk do e lejojmë të bëhet skizofreni, të vazhdojmë më tej. Duke menduar në kah të kundërt dhe duke pyetur: Cilat janë panatyrshmëritë e të tjerëve përballë natyrshmërisë së opozitës? Opozitat e sajuara, apo të simuluara, apo të fabrikuara në qeveri. Për interesa, duhet thënë edhe të qeverisë, por edhe të 'opozitave'. Sepse, kush nuk do donte ta merrte vendin e opozitës së njëmendtë që prihet nga demokatët? Në ditën më të keqe do të përkthehej në 35 përqind të votave të shqiptarëve. Në ditën e lume të fitores: Pushtet politik i të paktën një mandati.

Për këto arsye i keni parë, poshtë e lart korzosë (shëtitores) politike dytsat e opozitës. Ia fillojmë prej Ben Blushit, debatet e të cilit në parlament me Ramën, nuk e di pse, kanë shijen e stratagjemës 'sulmomë se do më rritësh kreditet', 'sulmomë e bëmë opozitë', 'më bjer se më pëlqen'. Beni dhe Edi kanë hapur sirtarët e viteve të vegjëlisë dhe rinisë së parë, dhe prej andej nxjerrin lodra që ia flakin zemërueshëm njëri-tjetrit, fletë fletoresh 4 lekëshe me kujtime, llastiqe, me të cilat gjuhen, por huqin.

Pas opozitës së verdhë të Blushit, është edhe opozita portokalli e Gjergj Bojaxhiut. 'Djali plangprishës' i PS takohet me 'djalin plangprishës' të PD, në kufijtë dhe gjasat e një opozitarizmi 'kalorsiak' që ka në sy të drejtën, të vërtetën, dhe jetën (në një formë puritane të pahasur më parë këtyre trojeve). Edhe Bojaxhiu i Sfidës, ashtu si Blushi i Librës, kanë çadrat e tyre në qytet; ato të mbledhjes së firmave dhe pikëtakimit me simpatizantët. Edhe pse janë kundër çadrës së madhe të opozitës zyrtare.

Të paktën, edhe pse të dy kanë qenë pjesë e pushteteve të së shkuarës, as Blushi dhe as Bojaxhiu nuk mund të degdisen honeve të mospranimit. Si Idrizi, për shembull, që i gjuan koçisë së pushtetit nga...koçia e pushtetit. Duke hedhur prej atje tezën (oh, sa të re e sa politikisht përmbysëse!) e daljes së të gjithëve më vete në zgjedhje. Po kur, o burrë i dheut do dalësh më vete? Kur është kjo kohë, kur datën e zgjedhjeve mund ta kapësh me përshtymë që aty ku je, aq afër është?! Idrizi, shpëtim për demokracinë do të jetë, dhe do të dalë edhe ai më vete kur askush të mos e ftojë për të dalë dyshe a në grup.

Historia mbyllet me 'armatën opozitare' të Ilir Metës. Ja ku i ke të shpërhapur horizontit politik; 'gjuetarë batutash kontroverse' të të gjitha moshave, përvojave e thekseve. Kejdi Mehmeti është e vetmja që të bën të mendosh se e ka seriozisht. Për një të vetëm fakt: Ajo është në një 'moshë serioze' ku ka ende shpresë për shpëtim (jo Idriz) të ndërgjegjes. Të tjerët, edhe teksa flasin, duket sikur i shkelin syrin vetes dhe shefit të tyre, Ilirit.

Ja pra si dhe ku, qeveria është bërë me katër opozita-satelitë që i sillen para, anash dhe mbas.

Të fundit