Flash News
Goro në burg, Blerina Balaj komandohet kryetare e Bashkisë Himarë
Video/ Tensione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Himarës, qytetari pështyn në fytyrë Vangjel Tavon
Olsi, ashtu si Edi, qenka burrë p….
Nën hetim për trafik k*kaine, SPAK sekuestron pasuritë e Princ Dobroshit dhe Olsi Syziut
Atentat në Memaliaj, qëllohet me breshëri arme avokati
Klementin Mile
Ku gabon opozita në strategjinë që ka zgjedhur për të komunikuar me publikun?
Që prej lënies së mandateve parlamentare, opozita është bërë thuajse popull, është bashkuar me njerëzit e thjeshtë në protesta të vazhdueshme për zgjedhje të lira e të ndershme dhe ka dalë në përkrahje të tyre për disa kauza, si ajo e banorëve të Astirit dhe ajo e artistëve të Teatrit Kombëtar.
Por, opozita nuk duhet të ketë iluzionin se kështu është njësuar me popullin.
Interpretime të tilla të opozitës, si ai që Ramën e refuzuan 85 për qind e shqiptarëve më 30 qershor, edhe pse mund të jenë të sakta nga pikëpamja e shifrave, shpien në ide të gabuara. 85 për qind e shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit, vërtet mund të mos e shohin dot me sy Ramën dhe qeverinë e tij, por kjo nuk do të thotë aspak se e mirëpresin opozitën. Vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme, në u realizofshin, do të na tregojnë se çfarë qëndrimi masiv kanë shqiptarët kundrejt qeverisë dhe opozitës.
Opozitarët që kanë lënë mandatet parlamentare nuk mund të jenë popull edhe për një arsye tjetër, banale në dukje. Për mediat, prej nga ku bëhen të dukshëm publikisht, ata do të jenë gjithmonë ish-deputeti filan i Partisë Demokratike dhe ish-deputetja fistëk e LSI-së. Opozitarët janë të dënuar mediatikisht të identifikohen me të shkuarën e tyre. Media do t’ia kujtojë vazhdimisht popullit që opozitarët nuk janë njerëz të thjeshtë të popullit, njerëz që identifikohen nga e tashmja.
Strategjia e komunikimit opozitar duhet t’i marrë parasysh këto gjëra. Neglizhenca e tyre dhe, sidomos, vijimi sikur asgjë të mos kishte ndryshuar në kontekstin e veprimit politik, sjell pasoja të dëmshme për shanset elektorale të opozitës.
Simboli i gabimeve opozitare në komunikim është mungesa e njerëzve si Fitim Zekthi. Shumëkush e njeh Zekthin, pasi e ka parë të aktivizohet në emisione televizive të llojit debat. Aty kanë parë përkushtimin e tij ndaj kauzave që mbron, formimin ideologjik të qartë dhe koherent, pozicionimin e pakompromis dhe argumentimin e fortë. Të tjerë e njohin prej shkrimeve të tij në gazeta dhe portale, ku, me siguri, kanë vënë re gjykimin moral të njeriut të mirë, i cili, edhe pse e di që politika shpeshherë e shpërfill moralin, përsëri nuk heq dorë prej tij. Dhe të tjerë akoma e dinë se Zekthi ishte kandidat për deputet i Partisë Demokratike në Qarkun e Elbasanit, ku, edhe pse i vendosur në listë në një pozicion ku nuk pritej të fitonte, megjithatë u angazhua maksimalisht në zgjedhje.
Zekthi, pra, është pjesë e rëndësishme e aksionit opozitar, paçka se përfshirja e tij, në disa aspekte, mund të rregullohej dhe vlerësohej më mirë. Por fenomeni Zekthi mungon. Njerëz si ai, që në këtë fazë të opozitës janë më të nevojshëm se kurrë, gjejnë vend pak ose aspak në strukturat dhe operacionet e Partisë Demokratike.
Fenomeni Zekthi është jashtëzakonisht i rëndësishëm për të ardhmen e PD-së dhe shanseve elektorale të opozitës, pasi këto, mbi të gjitha tani që opozita i ka braktisur institucionet shtetërore dhe nuk zotëron më asnjë pushtet, varen vetëm nga aftësia komunikative bindëse e opozitës. Ndërsa qeveria mund të gjejë dhe ofrojë stimuj materialë në këmbim të votës së qytetarëve, opozita këtë herë ka vërtet vetëm fjalën dhe nuk duhet kurrsesi ta shpërdorojë atë.
Fitim Zekthi është simboli i fytyrës me të cilën opozita duhet t’i prezantohet popullit, që ky i fundit të bindet për alternativën e saj. Arsyen për këtë na e ka dhënë Aristoteli, që në veprën e tij për retorikën, thotë se arti i bindjes varet nga tri gjëra, të cilat i emërton ethos, logos dhe pathos. Ethos-i është besueshmëria e njeriut, i referohet karakterit, qëllimeve të mira të tij, reputacionit, qenies etike. Pathos-i i referohet emocionit, pasionit, krijimit të një lidhjeje emocionale me njerëzit, duke u treguar që shqetësohesh për të ardhmen e tyre. Logos-i është logjika dhe ka të bëjë me argumentin, arsyen, me aftësinë për të menduar si duhet, për të analizuar dhe për të zgjidhur probleme.
Për të qenë i suksesshëm në bindjen e njerëzve kërkohet të performosh mirë në të tria elementet. Në këtë kuptim, ato janë njësoj të rëndësishme. Por, nga ana tjetër, mungesa e tyre nuk është njësoj e rëndësishme. Kështu, kur të mungon vetëm pathos-i, por ke ethos dhe logos, mund t’i bindësh njerëzit. Ata mund t’i bindësh edhe kur të mungon vetëm logos-i, por ke ethos dhe pathos. Por njerëzit nuk mund t’i bindësh kurrë kur të mungon ethos-i, pavarësisht sa pathos dhe logos ke.
Kjo e fundit është situata ku e gjejmë shpesh komunikimin opozitar me publikun. Si përfaqësues të opozitës në takimet me popullin, në koordinimin e strukturave, në organizimet popullore, në prononcimet mediatike, pra thuajse në të gjitha format e komunikimit me publikun, shfaqen njerëz, përgjithësisht ish-deputetë, të cilëve u mungon ethos-i. Çfarëdo që thuhet dhe sido që thuhet, nuk ka gjasa të jetë bindëse për publikun e gjerë, kur artikulohet nga figura që u mungon besueshmëria.
Në këto kushte, fenomeni Zekthi nuk është zgjedhje, por domosdoshmëri. Mesazhi opozitar duhet të vendoset në gojën e njerëzve pa të shkuar korruptive, të përfolur apo të dyshimtë. Kriteri i parë dhe më i rëndësishmi i përzgjedhjes së fytyrës publike të opozitës duhet të jetë patjetër ethos-i, reputacioni i përfaqësuesve të saj. Për logos-in, ekspertët dhe teknicienët, ka vend në struktura të tjera, në prapaskenë. Po ashtu në prapaskenë duhet vendosur pathos-i i organizatorëve të paepur dhe frymëzuesve të strukturave./Gazeta Librale
Shënim: Një tezë e ngjashme është mbrojtur edhe nga Alfred Lela i Politiko në një shkrim të para disa muajve.