Flash News

OP-ED

Ora e përbindshave (II): Midis dy pasqyrave

Ora e përbindshave (II): Midis dy pasqyrave

nga Koloreto Cukali

Vijon nga dje

Pjesa I këtu

Ndoshta ka nevojë për t’u ndalur pak tek ky 5%-shi i famshëm.

Po të vëresh debatin shoqëror shqiptar, ai është tmerrësisht banal. Pjesa më e madhe e asaj që diskutohet, jo vetëm në tavolina kafesh të periferive apo të hoteleve me 5 yje, jo vetëm online por dhe në TV-të më të mëdha, është jo vetëm vulgare e boshe, jo veç pa ide e vetëm sherr, por dhe jo-produktive, regresive, injorante e konfliktuale.

Krejt njësoj, po ta vini re është dhe debati politik. Edhe njerëz që para 10 apo 20 vitesh dukej sikur kishin prerje politikani profesionist sot komunikojnë me gjuhë rrugaçësh dhe idetë e vetme që hedhin janë ato që i përkëdhelin egon “Mbretit Diell”.

Me fjalë të tjera, Shqipëria që flet gjatë javës është e njëjtë me atë që ulëret të enjten në Parlament.

Lideri (dhe oborri i vet) përballë popullit janë, siç thashë 2 pasqyra të rrudhura që shtrembërojnë e deformojnë imazhin e njëra tjetrës.

Për këtë deformim mund të flasim gjatë herë tjetër, e rëndësishme është që kjo politikë nuk ka për të prodhuar asgjë ndryshe nga këto 30 vjet, dhe ky popull është i pazoti për ta flakur atë. Ndaj mendoj që e vetmja shpresë për ne është ajo përqindja sado e vogël, qoftë dhe një 5%-sh, që nuk ka ngecur në botën e pasqyrave mund të bëjë një ndryshim.

Le të flasim pak për këtë 5%-sh.

5%

Ndryshimi që unë mendoj nuk është dhe aq politik sesa psikologjik, shpirtëror dhe ideor.

Ne kemi nevojë për një ndërgjegje të re shoqërore, që nuk besoj që kjo Qeveri dhe oborri i vet politik e ekonomik mund ta formësojnë. Këtë ndërgjegje shoqërore të reformuar (meqë fjalën e bukur “rilindje” na e përdhosën Ali Baba me 40 hajdutët) me sa shoh krejt spektri politik shqiptar nuk ka kapacitet ta frymëzojë.

Ndaj shpresoj që kjo ndërgjegje të lindë në mes të atij grupimittë neglizhuar që është 5%-i papërfaqësuar, jo vetëm nga asnjë prej partive politike, por as nga të ashtuquajturat elita ekonomike.

Ashtu siç e shoh unë ky 5%-sh janë ajo pjesë e vogël e popullsisë që nuk ka pranuar të korruptohet shpirtërisht e materialisht, një 5%-sh i lexuar e i kultivuar, me dinjitet e integritet. Një 5%-sh që me shumë gjasa nuk ka dalë në televizor, i ka shmangur ekranet dhe kur e kanë ftuar, i ka shmangur oborret dhe kur e kanë qerasur, nuk ka pranuar ta fusin në darkë në kotec dhe mbi të gjitha, akoma nuk ka emigruar.

Bota e Re

Pandemia, është krisja e madhe në botë. Ngjarje si kjo, dhe e thonë shumë vetë, janë të prirura të shkaktojnë ndryshime të mëdha në kahun që do marrë jeta dhe shoqëria njerëzore më pas.

Po t’ia lëmë në dorë udhëheqjes politike dhe ekonomike të sotme të na marrin me vete në botën e re, ajo nuk do jetë botë e re. Do jetë një version i Shqipërisë së sotme, por më i varfër, më i dhunshëm, më arrogant, më i rrjepur, dhe mbi të gjitha me shumë më pak liri se sot.

E keni provuar të hyni në korridoret me pasqyra? Ajo na pret.

Por, 5% e Shqipërisë mund të fillojë diskursin sesi do jetë ajo që do vijë. Dhe t’ia imponojë më pas idetë e veta 95%-shit tjetër.

Ky diskurs ka nisur në botë, në mendjet progresive.

Është koha të nisë dhe te ne.

VIJON

*Shkruar posaçërisht për Dita dhe Politiko.al

Të fundit