Pacienti vdes disa ditë pas operacionit, procedohet penalisht mjeku i QSUT

Një person ka ndërruar jetë disa ditë pasi i ishte nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale në spitalin e QSUT në Tiranë.

Sipas policisë pacienti K.R 63 vjeç është ndarë nga jeta pak ditë pas operacionit. Familjarët akuzojnë mjekun për ndërhyrje të pakujdesshme. Në këto kushte, policia ka nisur procedim penal në gjendje të lirë ndaj mjekut E.Ç, 64 vjeç, banues në Tiranë.

“Më datë 24.05.2018, filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit E.Ç, 64 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë mjek pranë QSUT-Tiranë.

Procedimi ndaj tij filloi pasi ditën e sotme, rreth orës 08:20 në banesën e tij në lagjen nr 9 Korçë, ka ndërruar jetë shtetasi K.R, 63 vjeç, i cili kishte kryer një ndërhyrje kirurgjikale më datë 16.05.2018 në QSUT-Tiranë, nga mjeku i lartpërmendur, për të cilin familjarët e të ndjerit dyshojnë se ka kryer mjekim të pakujdesshëm. Nga kqyrja e trupit të viktimës, nuk janë konstatuar shenja dhune.

Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë”, sqaron policia.