Pack: Pasi mori statusin e vendit kandidat, Shqipëria ka bërë vetëm pas

Ish deputetja e Parlamentit Evropian Doris Pack e njeh mirë Shqipërinë. Në një përmbledhje të rezultateve që vendi ka shënuar në vitet e fundit, ajo shfaqet e zhgënjyer.

“Para 7-6 vjetësh keni qenë në rrugën e duhur. Morët statusin e kandidatit se vendi i meritonte. Që nga ajo kohë vendi ka ecur mbrapa. Kur e shoh sesa lart është niveli i korrupsionit, është i tmerrshëm në të gjithë nivelet.”, tha Pack në një bashkëbisedim më të rinjtë e Forumit Rinor të PD-së në njësinë numër 5 në kryeqytet.

E pranishme ishte edhe ish deputetja e PD-së, Albana Vokshi, e cila dha alarmin se vetëm në dy vitet e fundit janë larguar nga Shqipëria 30 mijë të rinj dhe fajtor sipas saj është kryeministri Rama që ka vënë gjithçka në diktatin e tij duke filluar nga mediet, shoqëria civile, deri te gjykatat.

Pack foli edhe për lajmin se Arta Vorpsi u betua para noterit e jo para presidentit të Republikës.

“Një absurditet drejtësie ne Shqipëri e emëruar në mënyrë antikushtetuese si gjyqtare kushtetuese, ajo zgjedh të betohet para një noteri publik jo para Presidentit te Republikës siç kërkon kushtetuta. BE duhet të veprojë!”, tha Pack.