Flash News

KRYESORE

Padia e Rovena Gashit, gjykata i jep të drejtë Arta Markut

Padia e Rovena Gashit, gjykata i jep të drejtë Arta Markut

Pas disa muajsh në procese gjyqësore, duket se verdikti final tashmë është në favor të kryeprokurores së përgjithshme të përkohshme, Arta Marku.

Gjykata i jep të drejtë Markut, pas padisë së ngritur ndaj saj nga prokurorja, Rovena Gashi. Kjo e fundit ngriti padi në gjykatën administrative ndaj Markut, pasi u shkarkua nga puna me pretendimin se largimi i saj erdhi pa motivacion.  

VENDIMI I GJYKATËS

Ditën e sotme gjykata ka vendosur t’i japë të drejtë kryeprokurores, Arta Marku. Sipas këtij vendimi, urdhri është i ligjshëm dhe në përputhje me kompetencat e Arta Markut.

Gjykata sqaron se urdhri ka diskrecion personal, s’mund t’i nënshtrohet kontrollit dhe se gashit nuk i janë shkelur detyrat e saj si magjistrate.

Në këto kushte, gjykata s’mund të ndërhyjë në detyrat që ka një organ kushtetues.

PADIA

Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku është paditur nga prokrurorja Rovena Gashi në janar të këtij viti në gjykatën administrative pas largimit të kësaj të fundit nga detyra.

“Vendimi për lirimin tim, absolutisht i pavlefshëm. Të pezullohet vendimi i lirimit si Drejtore e Marrëdhënieve me Jashtë. Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme ka uzurpuar kompetencat e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Lirimi nga detyra i Gashit erdhi pasi kërkoi ndërprerjen e mandatit për Aqif Rakipin dhe Gledion Rehovicën”, thuhet në padinë e Gashit ndaj Markut.   

ROVENA GASHI, E BESUARA E ADRIATIK LLALLËS

Lëvizja e parë e kryeprokurores Arta Marku sapo mori detyrën ishte shkarkimi i Rovena Gashit, e cila njihej si e besuara e ish-kryeprokurorit, Adriatik Llallla.

Gashi ishte në krye të Drejtorisë së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, në përbërje të të cilës është edhe Sektori për dekriminalizimin.

Në vend të saj, Marku emëroi  Arqile Koçën, i cili ishte kandidat për postin e Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm.

Rovena Gashi njihej si njeri i besuar i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe ka qenë ndër të pakta prokurore që ka mbrojtur publikisht punën e Prokurorisë dhe ka marrë pjesë në debatet televizive.  

Të fundit