Flash News

KRYESORE

Paketa anti-shpifje, shqetësim edhe për Komisionin e Helsinkit në Uashington

Paketa anti-shpifje, shqetësim edhe për Komisionin e Helsinkit në

Paketa anti-shpifje u bë temë diskutimi edhe në Komisionin e Helsinkit në Uashington të mërkurën. Në kushtet kur Shqipëria merr kryesinë e radhës në OSBE në janar, këshilltari i Komisionit të Helsinkit, Bob Hand shprehu nevojën për një autoritet moral dhe në këtë frymë tha se një vullnet për të marrë parasysh kritikat ndaj paketës anti-shpifje do të jenë tregues, raporton Zëri i Amerikës.

Në diskutimin e Komisionit të Helsinkit, me anëtarët të delegacionit të Shqipërisë, në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, zoti Hand shtroi pyetjen se si ndikojnë ligjet e paketës anti-shpifje tek besueshmëria e saj për të nxitur vendet e tjera që të marrin hapa përpara.

Ditmir Bushati, kryetar i delegacionit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së dhe deputet i Partisë Socialiste tha se e kupton këtë shqetësim.

Disa nga ato sfida me të cilat përballet OSBE-ja dhe do t’i duhet të merret Shqipërisë si kryetare e radhës, ajo i ka ende të pazgjidhura plotësisht vetë, si sistemi zgjedhor, lufta kundër korrupsionit dhe shteti ligjor, si edhe demokratizimi.

Një shembull është debati i fundit për paketën anti-shpifje. Zoti Hand tha se çështje si kjo vënë në pikëpyetje autoritetin moral të Shqipërisë kur trajton çështje të lirisë së medias në vende të tjera.

“Shqetësimi im kryesor është se është problematike për Shqipërinë ë Shqipëria t’i ketë këto ligje, por edhe do të jetë e vështirë që Shqipëria që të ngejë zërin për lirinë e shprehjes në ato vende të OSBE-së që kanë më shumë kufizime se Shqipëria në këtë drejtim”, i tha ai Zërit të Amerikës”.

Ai shtoi se “Shqipëria duhet të bëjë hapa përpara në këto fusha, nëse si kryetare e OSBE-së do që të nxisë dhe t’u kërkojë vendeve të tjera që të ndërmarrin hapa në një drejtim pozitiv”.

“Kështuqë kur e ngrita si çështje në diskutim, ishte në kontekstin që janë bërë kritika nga përfaqësuesi i OSBE-së për lirinë e medias, si edhe nga pjesë e mirë e shoqërisë civile. A ka gjë tjetër që qeveria e Shqipërisë ose anëtarët e parlamentit mund të bëjnë, që këto shqetësime të adresohen në një rishkim të projekt-ligjeve, të gjendet një zgjidhje që të ketë më shumë konsensus”.

Zoti Hand tha se mënyra se si trajtohet kjo çështje, mund të përdoret si një shembull pozitiv i angazhimit me shoqërinë civile dhe bashkëpunimin me institucionet e OSBE-së, për të marrë rezultatin më të mirë të mundshëm.

“Shpresoj që ky proces të mos jetë mbyllur, por të jetë në vazhdim e sipër dhe të kemi një zgjidhje të mosmarrëveshjeve lidhur me projekt-ligjet që ekzistojnë tani”, tha ai./VOA

Të fundit