Flash News

OP-ED

Pallati i ëndrrave

Pallati i ëndrrave

Patrik Sadikaj

Si mundet që kryeministri i vendit më të varfër në Europë, të ia hedhë paq me një justifikim fëmijësh, për vilën e tij qindra milionë euroshe?!

Në një vend europian, ndodh që studentët të të ikin nga takimi dhe të protestojnë, por nuk ndodh kurrsesi që kryeministri të thotë si pa të keq: Vilën sa një pallat mbretëror e kam ndërtuar me paratë e emigracionit.

Normalisht që disa e flejnë mendjen dhe e besojnë batutën që zgjodhi kryeministri i vendit më të varfër të Europës për të dalë nga situata në lojën e tij tashmë bajate me studentët. Ndaj dhe jemi sot këtu, në depresionin më të madh social që një vend mund të përjetojë nga keqqeverisja. Një milion shqiptarë ia kanë mbathur nga sytë këmbët për të punuar në emigracion që të ndërtojnë një kasolle për fëmijët e tyre, jo një pallat mbretëror si kryeministri.

Por le të kthehemi tek justifikimi i Ramës me studentët në Vlorë, kur sulmin për celularin e mori me një përgjigje sa pallati i tij mbretëror në Surrel.

Në fakt, një pyetje e tillë duhej bërë shumë vite më parë, kohë kur Edi Rama kishte lënë ustallarët e tij miliarderë të ndërtonin në fshatin mbi Tiranë dhe kishte dalë anëkënd Shqipërisë për të kërkuar votat e shqiptarëve. Atëherë kur fleta e votimit duhej të kishte brenda saj edhe pyetjen: Si mundet një politikan të ndërtojë një objekt të tillë që vlen shumë miliona euro, nuk e dimë se sa?!

Shqiptarët nuk kishin faj. Ata e njihnin kryeministrin e ardhshëm vetëm si shpëtimtarin e vendit që u kishte ofruar media. Askush nuk fliste për vilën bunker sa një pallat mbretëror në fshatin e bukur të Tiranës, banorët e të cilit ende sot e kësaj dite nuk i kanë marrë pronat e tyre, ndonëse kryeministri parcelen e vet e ka me dokumenta të rregullta. Nuk ka nevojë as për Lamen e Aluiznit!

Shqiptarët e njihnin Edi Ramën vetëm për llogarinë e tij me 2 mijë euro në bankë dhe me shtëpinë e mamasë diku pranë “21 dhjetorit”. Më kujtohet, diku nga viti 2012 kur hidheshin themelet e vilës Rilindja, kur me kolegët e mi gazetarë në median ku punoja të filmoja atë vend ku po ndërtohej pallati i ëndrrave. Në fakt ende pa mbaruar mirë xhirimi në Surrel, më erdhi mandati për t’i fshirë ato.

Nuk duhej kurrsesi të prishej imazhi i të varfërit shpëtimtar që në fakt po vinte me misionin për të varfëruar Shqipërinë. Normalisht ky imazh i fshehur me mjeshtëri u palos në kutitë e votimit të vitit 2013 për të çelur vetëm pak muaj më pas sëbashku me një vilë bunker sa një pallat mbretëror.

I zënë ngushtë dje nga një student i padjallëzuar, kryeministri në fillim mohoi disa prej përbetimeve të tij për llogarinë e varfër bankare dhe pastaj përdori sërish thjesht fjalën dhe jo provat, për të mbrojtur pasurinë e tij në formën e një bunkeri.

U përbetua se e ka ndërtuar me paratë e fituara në emigracionin e tij bohemist rrugëve të Parisit. Bukur fort. Edhe babai i studentit me të cilin u kap, ka punuar një jetë në emigracion, madje shumë baballarë të studentëve vazhdojnë të punojnë në emigracion, por asnjëri prej tyre nuk ka ndërtuar dot një shtëpi modeste 80 metër katror. Normalisht këtu përjashtohen ata që kanë punuar në trafik prostiticioni apo droge, ku besoj kryeministri i sotëm nuk përfshihej dje si emigrant.

Për ta përmbyllur gjithë këtë temë, besoj se në dorë e ka vetë kryeministri. Ai mund të thotë me “dy fjalë zemre” se ku i mori këto qindra miliona euro për të ndërtuar përrallën që fëmijët tanë na e kërkojnë të jua tregojmë sa për t’i vënë në gjumë mbrëmjeve të dimrit.

Të paktën ta dimë edhe ne sekretin, që nesër të mos gjendemi pa fjalë në sy të fëmijëve tanë kur të na e kërkojnë pallatin mbretëror. Jo për gjë, por dëgjojmë lajmet me tendera 40 milionë euro për 2 km rrugë dhe dyshojnë pastaj, duke na futur edhe ne në ngasjen dhe kërshërinë e tenderave.

Të fundit