Flash News

KRYESORE

Paloka njofton zgjerimin e ‘Frontit Opozitar’: Do na bashkohen parti të rëndësishme; LSI e ka një ngërç

Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka ka njoftuar se ‘Frontit Opozitar’ të kryesuar nga PD dhe LSI, do t’i bashkohen edhe parti të tjera të rëndësishme. I ftuar në ‘News 24’, Paloka nuk i bëri publike emrat e këtyre partive, por theksoi se objektivi që do i bëjë bashkë është rrëzimi i Edi Ramës nga pushteti.

“Ky front opozitar do të shtohet me parti të tjera, jo pak të rëndësishme, që do të bashkohen për një qëllim, largimin e Edi Ramës”, tha deputeti demokrat.

Paloka foli edhe për një ngërç që ekziston te LSI për shkak të bashkëqeverisjes me Ramën, por gjithsesi nuk e konsideroi si arsye për të penguar bashkëpunimin midis dy partive opozitare.

“LSI e ka një ngërç sepse është një parti që ka qeverisur me Ramën deri para pak muajsh, por nuk mund të themi që sot nuk bashkëpunojmë me LSI për këtë arsye. Të gjitha partitë kanë bashkëpunuar në një mënyrë ose tjetër”, tha Paloka, duke mohuar që ndonjë prej aleatëve të PD-së të jetë i pakënaqur me bashkëpunimin me LSI.

Sa i përket protestave, Paloka tha se ato do të fillojnë pas datës 20 janar, me shumë mundësi më datë 27, por kjo do të vendoset në vijim për shkak të konsultimit me strukturat.

Paloka komentoi edhe shkarkimin e Haki Çakos nga posti i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, duke e konsideruar “koka e turkut e radhës”.

Të fundit