Flash News

KRYESORE

I pamëshirshëm për ujin, i mëshirshëm për ARMO-n

I pamëshirshëm për ujin, i mëshirshëm për ARMO-n

Gentian Gaba

Dy ditë nga përfundimi i afatit për legalizimin e lidhjeve të paligjshme të ujit, të deklaruar me kërcitje dhëmbësh dhe tundje prangash, kryeministri Edi Rama ka dhënë paralajmërimin e fundit se operacioni do të jetë i fortë dhe i pamëshirshëm për të goditur ata që vjedhin pasurinë e përbashkët.

Rama theksoi se aksioni do të nisë nga bizneset, ndërsa do të jetë i njëjtë me atë të energjisë elektrike.

“Është një reformë, si ajo në energji, bazohet në parimin, që ata që kanë paguar rregullisht nuk janë budallenj dhe ata që kanë vjedhur nuk janë të mençur”  - tha sot Kryeministri.

Sigurisht, formalizimi në të gjitha sektorët, është një hap i domosdoshëm për shoqërinë tonë. Përpjekjet për formalizim janë të një rëndësie të veçantë për legjitimitetin e shtetit, për ndërtimin e një demokracie funksionale të ëndërruar prej shqiptarëve, tashmë prej gati tri dekadash. Çdo përpjekje që shkon në këtë drejtim duhet përshëndetur. Kërkohet barazi në ekzekutimin e çdo procesi shtrëngues, në fund të së cilit të gjithë të japin kontributin e tyre si konsumatorë, ofrues shërbimesh, por mbi të gjitha si qytetarë të një vendi që kërkon të përmirësojë cilësinë e gjësë publike.

Por, ata që janë të stërvitur me demagogjinë e këtyre fushatave (të pispillosura si “reforma”), duhet t’ju ketë tingëlluar keq pamëshirshmëria që shfaq në media Kryeministri, e cila bie ndesh me mëshirën që po tregon ndaj ngecjes së “reformës” në sektorin e energjisë, simotra e kësaj që pritet të nisë.

Dy institucione ndërkombëtare të rëndësisë së parë, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore (jo kazani mediatik), e konsiderojnë ecurinë e reformës në sektorin e energjisë elektrike “të pamjaftueshme”. Në raportin e 13 dhjetorit që sapo lamë pas, Fondi Monetar Ndërkombëtar shprehu shqetësimet mbi atë që quan “ngecje” të reformës, dhe njëkohësisht  ekspozoi mungesën e transparencës së qeverisë dhe një pjese të kompanive publike të sektorit mbi gjendjen e tyre financiare.

Mbi 2500 shqiptarë u akuzuan si “hajdutë” energjie në vitin e parë të kësaj fushate.

Frika, ajo që ruan më mirë vreshtat sipas një fjale të urtë, u përkthye me rritjen e pagesave të faturave të prapambetura.

Por, qysh prej fazës së parë, reduktimi i humbjeve ka ngecur; mesa duket frika nuk mjafton, duhet mirëmenaxhim dhe transparencë.

Trysnia mbi konsumatorët familjarë u kompensua me pagesa të rregullta për OSHEE; gjithsesi shifra finale e humbjeve, sot është 31 përqind, tregon masën maksimale të popullsisë të aftë të paguajë për mbijetesen e vet; megjithatë, e njëjta gjë nuk ka ndodhur me ndërmarrjet shtetërore dhe me disa biznese.

Më flagranti, për “budallenjtë” që paguajnë sot energjinë që konsumojnë, është rasti i ARMO.

 “Amerikani serioz”, që Rama prezantoi përpara dy vitesh, ose ishte “vendali” ose u ambientua shpejt me zakonet lokale, duke akumuluar një borxh prej njëzet e dy miliardë lekësh ndaj OSHEE-së.

22.000.000.000 lekë, ky rreshtim i frikshëm i dyshave dhe zerove dëshmon, për të përmbysur atë që Rama tha sot, se “budallenjë” vazhdojnë të jenë ata që paguajnë.

Beso-j se nuk jeni aq “budallenj” sa të mbani radhë me ditë përpara zyrave të OSHE-së, dhe të mos kuptoni çfarë ka ndodhur?!

Mëshira, që është një reagim emocional e cila shfaqet kur jemi përballë vuajtjeve dhe ndez një dëshirë autentike për të ndihmuar, nuk ishte nga ana e qytetarëve, por e ARMO-s.

Me këto premisa, dhe me këtë bilanc në sektorin e energjisë, Kryeministri ka nën shënjestër ujin.

Nga eksperienca e OSHEE-së duhet të presim të njëjtin rezultat, pasi ata që do ta zbatojnë janë të njëjtët.

Janë ata që nuk kuptojnë se reduktimi i informalitetit nuk mund të bazohet vetëm mbi kërcënimin, por mbi një strategji të mirë-studiuar, mbi transparencën dhe menaxhim rigoroz.

Por, mbi të gjitha, “reforma” kërkon uniformitet dhe barazi në aplikimin e ligjit,  jo disa të “anetës” dhe disa të njerkës.

 

Të fundit