Flash News

KRYESORE

Pamupri: Po luhet me jetën e 300 të sëmurëve me hemofili, Ministria hesht

Pamupri: Po luhet me jetën e 300 të sëmurëve me hemofili,

Partia Demokratike përmes deputetes Oriola Pampuri ka denoncuar mungesën e medikamenteve për pacientët me hemofili. Pampuri tha se po luhet me jetën e 300 të sëmurëve ndërsa sipas saj, Ministria e Shëndetësisë po hesht.

“Faktorët për pacientët me hemofili mungon në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, ose vjen  në sasi fare të vogël, të cilat nuk arrijnë të përmbushin nevojat e pacientëve, ashtu siç  ndodh me herceptinën për pacientët me kancer, e me shumë medikamente të tjera. Në këtë situatë ku luhet me jetën e të paktën 300 të sëmurëve me hemofili, Ministria e Shëndetësisë hesht dhe nuk shpjegon pse QSUT nuk blen faktorë të mjaftueshëm për trajtimin normal të të sëmurëve. Akoma më mizore është sjellja e vetë Ministres Ogerta Manastirliu, e cila injoron pa përgjigje me dhjetëra mesazhe telefonike, ku i kërkohet ndihmë nga të sëmurët me hemofili”, tha Pampuri.

Deputetja e PD-së u shpreh se pacientët nuk mund ta blejnë dot vetë gjithmonë faktorin për jetën e tyre, sepse një i tillë kushton nga 1 milion e 200 mijë lekë në 2 milion lekë.

“Vetëm në 8 muaj qeveria e Edi Ramës ka harxhuar mbi 6 milionë euro për të bërë zyrat veta të rehatshme dhe luksoze, ndërsa qindra të sëmurë me hemofili rrezikojnë të invalidizohen nga mungesa e Faktorit. Këto para dhe ato që abuzohen me tendera të tjerë korruptivë nga Ministria e Shëndetësisë, mjaftojnë për të blerë faktorët për pacientët hemofilikë dhe për t’u krijuar atyre kushtet të kurohen në qytetet ku banojnë, pa qenë nevoja të torturohen disa herë në muaj nga ardhja në Tiranë”, shtoi Pampuri.

Të fundit