Pandemia e koronavirusit/ Vendet e G20-s ‘takohen’ online, të pranishëm edhe drejtuesit e OBSH

Drejtuesit e ekonomive të mëdha të G20-ës pritet të marrin pjesë në një samit përmes video-lidhjes të organizuar nga Arabia Saudite për shkak të masave parandaluese të përhapjes së koronavirusit.

Në mesin e tyre do të jenë presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Ky takim virtual do të zhvillohet në kohën që ekonomitë botërore përpiqen të frenojnë dëmin ekonomik të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

Mbledhja do të udhëhiqet nga Mbreti saudit Salman, i cili është i përfshirë në një luftë çmimesh në tregun e energjisë me Rusinë, pasi të dyja palët nuk arritën marrëveshje për shkurtimet e prodhimit.
“Ndërsa bota përballet me pandeminë COVID-19 dhe sfidat ndaj sistemeve të kujdesit shëndetësor dhe ekonomisë globale, ne thërrasim këtë samit të jashtëzakonshëm të G20-ës për të bashkuar përpjekjet drejt një reagimi global”, tha mbreti saudit. Riadi mban presidencën e radhës të G20-ës.

Drejtuesit e Kombeve të Bashkuara, Bankës Botërore, Organizatës Botërore të Shëndetësisë (WHO) dhe Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) gjithashtu do të marrin pjesë në videokonferencë.

Burimi: Radio Europa e Lirë