Panucci rikthen Xhakën dhe Cikalleshin për ndeshjet me Spanjën dhe Italinë, në ekip edhe talenti i Breshias (Lista)

Trajneri i ekipit kombëtar të futbollit, Christian Panucci ka publikuar listën e lojtarëve që do të grumbullojë për ndeshjet zyrtare eleminatore me Spanjën dhe Italinë, respektivisht më datë 6 dhe 9 tetor.

Sikundër edhe në ndeshjet e mëparshme, trajneri Panucci ka vendosur të zbardhë listën disa ditë përpara nisjes së grumbullimit, dhe daljes publike për mediat, ditën e hënë në orën 10.00 në selinë e FSHF-së.

Për këto dy ndeshje mister Panucci ka grumbulluar 26 lojtarë, në një kohë që do të jenë të gatshëm në takimin me Italinë në Shkodër edhe futbollistët e skualifikuar për takimin me Spanjën, Mavraj, Roshi e Kukeli. Për dy takimet zyrtare eleminatore me Spanjën (6 tetor) dhe Italinë (9 tetor) do të jenë në dispozicion të trajnerit, edhe futbollistët Sokol Cikalleshi e Taulant Xhaka dhe Ermir Lenjani, të cilët rikthehen me ekipin kombëtar. Spikat edhe ardhja në kombëtare e futbollistit të Breshias, Emanuele Ndoji.

Grumbullimi i skuadrës përfaqësuese do të nisë ditën e hënë në hotel “Tropikal”, një një kohë që trajneri i skuadrës do të dalë përpara mediave për këto dy ndeshje të radhës, duke iu përgjigjur interesit të medias, ditën e hënë në orën 10.00 në selinë e FSHF-së.