Flash News

KRYESORE

Panucci me risi në listën e parë, ftesë mbrojtësit të Hajdukut

Panucci me risi në listën e parë, ftesë mbrojtësit

Që në ditët e tij të para të punës, Kristian Panuçi nisi që të ndiqte nga afër futbollistë si Abrashi dhe Xhaka. Trajneri i ri i Kombëtares shqiptare të futbollit, pas disa ditësh do të shpallë listën e futbollistëve që do të jenë të ftuar në grumbullimin e parë me të në krye të kuqezinjve.

Së fundmi, mediat kroate kanë bërë me dije se mbrojtësi i majtë i Hajdukut të Splitit, Hysen Memolla, do të jetë një nga risitë e listës së trajnerit të kuqezinjve, raporton 'Panorama Sport'.

Për zyrtarizimin e saj, duhet pritur data 28 gusht, kur vetë Panuçi do të bëjë me dije listën e lojtarëve që do të jenë të gatshëm për dy ndeshjet kualifikuese kundër Lihtenshtejnit dhe kundër Maqedonisë.

Sipas “sporarena.hr”, Memolla ka marrë ftesë nga Shqipëria për dy ndeshjet e shtatorit dhe nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit të skuadrës së Hajdukut të Splitit.

Memolla do të jetë një alternativë në pritje për linjën e majtë të mbrojtjes, për t’u testuar si pasardhës i mundshëm i kapitenit të Kombëtares, Ansi Agollit.

Duke qenë se Aliji është duke kaluar periudhë aspak pozitive, nevoja për një mbrojtës të majtë është tejet e madhe. Në këtë mënyrë, trajneri i ri i Kombëtares po afron në organikë një futbollist që numëron 24 ndeshje në kampionatin e shkuar në Kroaci.

Të fundit