Flash News

KRYESORE

Para mbledhjes së Këshillit Politik, në takimin e Bashës me ambasadorët e SHBA e BE edhe Bylykbashi e Vasili

Para mbledhjes së Këshillit Politik, në takimin e Bashës me

Ambasadorët e SHBA, Yuri Kim, ai i BE, Luigi Soreca, i Gjermanisë, Peter Zingraf dhe i Britanisë së Madhe, Duncan Norman zbarkojnë sot në selinë blu, ku do zhvillojnë një takim me kreun e opozitës, Lulzim Basha.

Të pranishëm në takimin e kërkuar nga opozita e bashkuar, do të jenë aleatët e Partisë Demokratike, por burimet e politiko.al bëjnë me dije se do të jenë edhe përfaqësuesit e opozitës së bashkuar në Këshillin Politik për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi nga PD dhe Petrit Vasili nga LSI.

Kjo e forcon më shumë faktin se në fokus të diskutimit do të jenë ndryshimet kushtetuese që siç paralajmëroi kryeministri Edi Rama dje në kuvend do të votohen në seancën e fundit të këtij sesioni, në 30 korrik.

Kujtojmë se ditët e fundit, trupa diplomatike ka zhvilluar takim edhe me presidentin Ilir Meta lidhur me këtë çështje, teksa pasi kanë përshëndetur marrëveshjen e 5 qershorit të votuar edhe në parlament, kanë kërkuar që çdo nismë për ndryshime kushtetuese të diskutohet në Këshillin Politik dhe të jetë gjithëpërfshirëse mes palëve politike.

Ndërkohë, po sot në orën 11.00 pritet të mblidhet sërish Këshilli Politik i thirrur nga përfaqësuesi i PS, Damian Gjiknuri, ftesë që opozita e bashkuar i është përgjigjur pozitivisht, për të diskutuar kërkesën për lista të hapura dhe koalicionet parazgjedhore.

Opozita e bashkuar kërkon që të dakordësohet me mazhorancën për ndryshimet kushtetuese të amenduara dhe që janë në procedurë parlamentare, duke qenë se nuk ka dakordësi të gjerë politike të merret edhe opinioni i ekspertëve të OSBE-ODIHR.

Nga ana tjetër, përmes e-mail-shkëmbimeve, Gjiknuri akuzon opozitën e bashkuar se me kërkesa të tilla po tenton të zvarrisë procesin. Sipas tij, në marrëveshjen e 14 janarit, palët kanë rënë në ujdi që palët të marrin opinion nga OSBE/ODIHR për Kodin Zgjedhor dhe jo ndryshimet kushtetuese.

Opozita sërish iu përgjigj, duke i kujtuar Gjiknurit, i cili njësoj si Rama paralajmëroi se në 30 korrik këto ndryshime do të votohen në kuvend, se nëse mungon gjithëpërfshirja preken nenet e 5 qershorit.

Të fundit