Flash News

KRYESORE

Parajsa e akullt mes të gjallëve

*Nga Xhuliana Jakimi

“Uji i bekuar, djathi i shkrirë, parajsa e akullt dhe natyra që s’kam fjalë ta përshkruaj…”

Këto janë gjëra që më vijnë ndërmend nga udhëtimi dy ditor në Kosovë, pikërisht në Prizren, Prevallë dhe Brezovicë.

Kur bëhet fjalë për udhëtime, unë jam aty, me aq sa mundem. E nëse do më duhej të zgjidhja mes ‘party-ve’, mes kafeneve e natyrës, pa dyshimin më të vogël do zgjidhja këtë të fundit.

Dhe ja ku jemi, mëngjesin e së shtunës, në një autobus me 30 të rinj e familjarë me të vegjlit e tyre.

Fotot e videot që kishim parë ato ditë në rrjetet sociale na kishin ngjallur fantazinë e dëshirën për të eksploruar natyrën e bukur të Kosovës, të veshur nga velloja e dëborës.

Veç entuziazmit, i ftohti i mëngjesit na e nxorri gjumin. Udhëtimin e radhës e bënte më të bukur prania e dy mikeshave të mia nga Jugu. Migena vlonjate e tepër krenare dhe Anxhela gjirokastrite që di në çdo moment të na menaxhojë paratë por dhe kohën. Të dyja oratore e pozitive.  Isha dhe unë, një dibrane mes dy jugoreve… kombinim perfekt.

Sa më shumë i largoheshim Tiranës aq më shumë ndihej i ftohti i dimrit. Pas kafes në Mirditë, ndalesa e radhës ishte në Prizren.

Qyteti i bukur me ura të shumta, ndahej në dy pjesë nga lumi Lumbardh që kalonte mes përmes. Ajo që binte në sy ishte harmonia fetare, kisha dhe xhami të shumta të vendosura pranë njëra-tjetrës.

Mësuam që në Prizren kishte një shatërvan, që thuhej se kishte ujë të bekuar. Guida jonë Kevin na tregoi dhe për gojëdhënën. Në shatërvan rridhnin 4 çezma me ujë.

Kush sillej rreth e rrotull shatërvanit dhe pinte 4 herë ujë do martohej. Legjenda thoshte se gocat do martoheshin me djem nga Prizreni, por Kevin na tregoi se në fakt dy çifte nga Shqipëria që kanë udhëtuar me të, janë martuar pasi kanë pirë ujë. Legjendat mbeten legjenda, por ne po bënim sikur e besonim. Migena e piu ujin e bekuar, tani mbetet për të parë në do jetë e vërtetë. 

Në "Urën e  Dashurisë" së qytetit shumë çifte kishin kyçur dashurinë e tyre me çelës. 

Pasi shëtitëm rreth e rrotull qytetit e bëmë disa blerje të vogla në dyqane, u nisëm për në Prevallë. Po ngjiteshim lartë, por s’po shihnim asgjëkund borë. Një shi i furishëm na shoqëroi gjatë gjithë rrugëtimit.

“Kevin pse s’ka dëborë?”, pyeste Migena guidën tonë.

“Epo do jetë shkrirë”.

“Kevin ne për borë kemi ardhur, pse nuk ka borë siç kemi parë në foto?”, vazhdonte Migena me pyetjet, ndërsa shiu binte duke mbuluar gjurmët e borës.

“Mos u shqetësoni, nëse s’ka tani borë, do bie gjatë natës sepse kam parë parashikimin e motit”, shpjegonte Kevnin.

Shiu s’kish mundur të shkrinte të gjithë dëborën në Prevallë, kështu që patëm mundësinë të shijonim pamjen por dhe të bënim ski në mënyrë amatoreske pasditen e së shtunës.

U akomaduam në hotel. Hëngrëm drekën, u lidhem me wireless për të lajmëruar familjen e nxitimthi u bëmë gati të shijonim dhe 2 orëshin e pasdites para se të errësohej. Bora ishte e butë. Pllaq-plluqet e këmbëve tona ishin melodia e asaj pasditeje.

Vendi ku bëhej ski ishte rreth 50 metër larg hotelit. Morëm një skiatore e nisëm të lëshoheshim nga lart. Ajo atmosferë më ktheu pas në fëmijërinë time, kur improvizonim mjete për të bërë ski, e kur shkonim në shtëpi duart e mpira nga i ftohti na dhimbnin e na bënin të qanim për orë me radhë.  Megjithatë, ‘artin’ tim të të bërit ski e kisha lënë pas bashkë me fëmijërinë.

 Nuk isha një skiatore e zonja, por po i shijoja pafund dhe ata rrotullimet në dëborë. Mjergulla herë vinte e herë ikte duke na bllokuar fushëpamjen.

Pasi u bëmë qullë dhe nisi të errësohej, dorëzuam skiatoren dhe nisëm të flisnim me shitësin aty pranë.

“Turistë ka vetëm në dimër këtu?”, e pyeta, marrë shkas dhe nga atmosfera që ishte krijuar.

“Jo bre çikë, këtu turistë vijnë gjatë gjithë vitit. Më shumë në behar”, m’u përgjigj një zotëri rreth të dyzetave.

“Gjatë pranverës vijnë ata persona që kanë probleme me frymëmarrjen. Qëndrimi për 21 ditë në Prevallë shërben për të pastruar rruazat e kuqe të gjakut. Janë tre rryma ajri që qarkullojnë në këtë zonë”, u shpreh më tej ai.

Një zonë që të fal qetësi, ku mund të argëtohesh, të hash shëndetshëm dhe të shërohesh. Prevalla është fshati më i ri i Kosovës, i ndërtuar pas luftës dhe me ndërtesa të shumta moderne.

U kthyem në hotel duke kulluar. Pasi pushuam dhe u bëmë gati për darkën, zbritëm poshtë në restorant.

Një ambient i qetë, me muzikë të lehtë në sfond, staf tejet të sjellshëm dhe një oxhak që jepte hijeshi dhe lezet.

Jashtë nisi të binte borë. Parashikimet e Kevinit qenë të sakta. Një gotë verë i shkonte përshtatat atmosferës së krijuar.

Për ata që dinë të luajnë, një piano në ambientet e restorantit ishte një dhuratë speciale.

Për rreth një orë u bashkuam dhe me pjesën tjetër të grupit duke luajtur me karta.  Respekti për ne miqtë e Shqipërisë ishte i veçantë nga stafi.

“I duam dhe respektojmë shumë miqtë nga Shqipëria. Por kemi vënë re që kur kalomë pushimet në Durrës apo Shëngjin gjatë verës, atje abuzojnë me rritje çmimesh ndaj nesh”, u shpreh Trimi nga Ferizaj.

U ndjeva keq kur më tha ato fjalë, por në fakt kështu është në realitet.

Miku i ri nga Kosova na tregoi se marrëdhëniet mes kosovarëve dhe serbëve nuk janë aq të acaruara.“Shpesh ndodh që marrëdhëniet tona tregtare janë më të mira me serbët sesa me kosovarët”, shtoi ai.

S’mund të lë pa përmendur dhe se çfarë mendonin për vajzat nga Shqipëria. “Çikat e Shqipnisë janë të bukura, të komunikueshme dhe të t’zgjuta”, na tha Trimi.

Shqiptarët e Kosovës i ruajnë me fanatizëm traditat e tyre. Këtë vura re dhe nga emrat e tyre me shumë kuptim. Adhurim, Xhenet, Dardan, Trim…

Orari i darkës erdhi. Gatime karakteristike të zonës; nga mishi, supa, kulaçet, djathi i shkrirë me një aromë që ç’tju them…Pasi shijuam darkën, nisëm t’i pyesnim kamarierët dhe për recetat e gatimit.

Bora kishte zbardhur vendin. Ishte ora rreth 10:00 i darkës. Morëm xhupat dhe dolëm të luanim me topa bore. Bëmë dhe babagjyshin me hundë prej karrote e me kopsa prej ulliri.

Ishte mesnatë, por mua,  Anxhelës dhe Migenës s’na bëhej të linim oxhakun e të iknim me dhomë. Na shoqëronin dhe çunat që po pastronin lokalin, e guida jonë Kevin. Pasi vuri shoferin në gjumë, erdhi dhe ia nisëm muhabetit.

“Sa shoferë kam ndërruar unë… Gjithë hotelet e trevave e të Shqipërisë i kam ndarë me shoferët”, tha Kevin, e ne s’mbajtëm dot të qeshurën.

Donim ta gdhinim, por të nesërmen na priste një tjetër ditë e gjatë, ndaj shkuam në dhomë e u shtrimë…

Ishte ora 7:00  mëngjesit. Hap sytë dhe shoh Anxhelën që po vishte rrobat e borës.

“Ku po shkon”?

“Ka zbardhur. Prita të dilte drita e të çohesha.”

Nga dritarja pamja ishte e mrekullueshme. Velloja e bardhë kishte mbuluar pemët, malet e karriget e lokalit poshtë. Ishte veç bardhësi.

U çova dhe dolëm të trija bëmë një xhiro. Të tjerët ishin në gjumë. Kështu që tryezën panë oxhaktut e kishim vetëm për veten.

Pimë kafenë qetë e qetë, siç donim ne. Konsumuam dhe mëngjesin bufe, bëmë çantat gati e u nisëm drejt Brezovicës.

Tejet energjik për të nisur një tjetër ditë nën dëborë. Udhëtimin po na e vështirësonte dëbora e ngricat.

Makina të shumta kishin  ngecur nga akulli. Ndaluam dhe një pjesë e grupit ndihmuan shoferin t’i vinin zinxhirët autobusit. Të tjerë ndihmonin në shtyrjen e makinave. “Epo me të shtyrë nuk bëhet”, tha Kevin.  “Do ecim në këmbë. Nga këtu në destinacion 10 minuta rrugë është”.

Nisëm të gjithë bashkë për te teleferiku dhe pista e skisë, ndërsa flokët e borës na shoqëronin gjatë udhëtimit. 

Motorët e borës në hyrje, na shtuan dëshirën për të bërë një xhiro. Pa hezituar të trija hipëm  dhe nisëm për të pista.

Ç’të shihnim, ishte mrekulli. Ca bënin ski me mjete amatore, disa ishin pajisur këmbë e krye, e tjerë shëtisni me teleferik.

U nisëm drejt kioskës për të marrë biletat për te teleferiku. Zumë radhën e mes turmës ia dolëm që të hipnim e të ‘fluturonim” mbi dëborë.

Xhiroja me teleferik zgjaste 30 minuta. Që në nisje, Migena vlonjate, tregoi se nuk ishte aq e fortë sa ç’dukej.

“Xhuliana kam frikë!...Xhu po sikur të fiken dritat! Po biem!...Ngriva… Xhu të lutem mos ma lësho krahun…Mos i lëviz këmbët!”, ‘ulëriste’ Migena gjatë 30 minutave. Sa më lart që ngjiteshim aq më ftohtë bëhej.

Mjergulla na pengonte fushëpamjen. Vetëm personat që ktheheshin poshtë me teleferik mund të shihnim. Shumë prej tyre ishin të huaj. Ata nuk hezitonin të na përshëndesnin. Të njëjtën gjë bënim dhe ne. Me disa prej tyre madje lamë që të takoheshim pasi të zbrisnim.

“Xhu më duket se jemi në parajsë këtu sipër”, -më thoshte Migena.

E në fakt, nëse parajsa është e tillë, ashtu ngjante. S’mund ta përshkuar me fjalë ndjesinë që të krijohej. Aty ishte një parajsë, por parajsë e ftohtë, ku duart e këmbët po ngrinin dalë-ngadalë.

Gjatë ngjitjes ishin dy ndalesa, për ata që donin të hidheshin nga lart e të bënin ski. Por ne s’ishim prej tyre. Aq ftohtë bënte, saqë kur zbritëm pamë që bora kishte ngrirë mbi flokët tonë.

Bashkuam krahët të treja, bëmë një ‘shtresë dhjamore”, siç e quajti Anxhela, e nxituam për te autobusi ku po na prisnin të gjithë. Ishim vonë, por s’mund të shkonim në Brezovicë e mos shijonim shëtitjen me teleferik.

U kthyem sërish në Prevallë ku shijuam drekën e hoqëm rrobat e qullta. Na prisnin 5 orë rrugë për në Tiranë. Repertori i këngëve të autobusit ishte 'i lashtë'. Kënduam e kërcyem me muzikën e Anila Mimanit, pastaj “taka-taka” e “benzin e zi”.

Rrugëtimit tonë po vinte fundi, por jo ndjesive që përjetuam nga udhëtimi dy ditor…që do jetë i paharrueshëm. /Politiko.al/

 

Të fundit