Flash News

KRYESORE

Paralajmërimi i policisë për protestën e opozitës, Vasili: S’flisni dot për ligj, arrestuat qytetarët në gjumë

Paralajmërimi i policisë për protestën e opozitës,

Edhe pak minuta na ndajnë nga momenti i nisjes së protestave në 4 akse kryesore të vendit nga qytetarë dhe deputetë të opozitës së bashkuar, PD dhe LSI, kundër taksave të qeverisë “Rama”.

Mbrëmë vonë, policia e shtetit reagoi duke paralajmëruar qytetarët se ndaj tyre do të ketë masa ndëshkuese, pasi protesta nuk është e ligjshme dhe nuk është marrë leje për përdorimin e hapësirave publike.

Ky fakt ka irrituar deputetin dhe kreun e grupit parlamentar të LSI, Petirt Vasili, i cili përmes një reagimi në facebook e cilëson të turpshëm këtë qëndrim të policisë, ndërsa kujton mënyrën se si arrestoi 23 protestuesit në Kukës.

“Policia e inkriminuar shkel cdo ligj dhe qe dhunon e rreh qytetaret,qe i arreston qytetaret ne mes te nates ne gjume,qe gjakos deputetet,ka goje dhe flet per ligj.Jazëk”, shkruan Vasili.

DEKLARATË E POLICISË SË SHTETIT PËR PROTESTËN E SË ENJTES

Siç është bërë e njohur në media, disa parti opozitare kanë lajmëruar se në datën 5 prill, do të zhvillojnë një protestë, shoqëruar me bllokimin e disa akseve rrugore kombëtare.

Policia e Shtetit nuk ka marrë njoftim ligjor për protestën dhe mbështetur në ligjin “Për tubimet”, nuk mund të lejojë protesta të askujt, që në emër të lirisë së tubimit, cenojnë lirinë e sigurinë e të tjerëve.

Zhvillimi i protestës së paralajmëruar mediatikisht, për vetë natyrën e saj përbën një cënim të rëndë të ligjit, të rendit publik dhe lirisë e sigurisë së çdo qytetari, që ka të drejtën të përdorë hapësirat e pushtuara nga një protestë e tillë.

Organizatorët e kësaj proteste të paligjshme do të përballen me ligjin për çdo pasojë të paparashikuar, që mund të sjellë një protestë e organizuar për të nxitur rrëmujë dhe konflikt në pika nevralgjike për qarkullimin e njerëzve dhe mjeteve.

Policia e Shtetit njeh dhe respekton si të paprekshme të drejtën për të protestuar. Por ajo ka përgjegjësi ligjore, si dhe gatishmërinë për të mos lejuar cënimin e interesit të qytetarëve.

Policia e Shtetit u bën apel të gjithë qytetarëve të mos bien pre e një politike të angazhuar për të goditur ligjshmërinë dhe institucionet e vendit, duke dëmtuar interesat e njerëzve e të vetë vendit.

Zhvillimi i një proteste të paligjshme mund të përdoret nga elementë me precedentë kriminalë dhe të nxitur a të paguar për të krijuar paqëndrueshmëri shoqërore.

Policia i bën thirrje çdo qytetari të mos bëhet pjesë e kësaj proteste të paligjshme dhe me rrezik për rendin e sigurinë.

Gjithashtu Policia e Shtetit i kërkon paraprakisht ndjesë çdo qytetari, për çdo rast kur nuk do te mund t’i shërbejë si duhet lirisë se qarkullimit.

 

Të fundit