Paralajmërimi nga Amerika: Në fund të majit fillon jeta gjysmë-normale; virusi rikthehet në fund të vjeshtës

Dr. Janis Orlowski punon 13-15 orë në ditë duke u përpjekur të minimizojë dëmet e koronavirusit, shkruan POLITICO.

Orlowski është drejtore ekzekutive e Shoqatës së Universiteteve të Mjekësisë së Amerikës (Association of American Medical Colleges) që do të thotë se ka kontakte të përditëshme me zyrtarë të lartë të qeverisë. Intervistuar nga një program (podcast) i POLITICO ‘Women Rule’, Orlowski thotë se vetëm nga fundi i majit do t’i kthehemi një jete gjysmë-normale.

“Mund të themi se verën do ta kalojmë në gjysmë normaliteti”, thekson ajo “por duhet të bëhemi gati që në vjeshtë t’i futemi këtij ushtrimi sërish”. Duke paralajmëruar se virusi do të kthehet nga fundi i nëntorit- fillimi i dhjetorit, ajo shton se arsyet për këtë  gjinden te ngjashmëritë e Covid-19 me pandeminë e gripit të vitit 1918-1919.