Flash News

KRYESORE

“Parkime me koncesion”, Bashkia e Tiranës reagon pas denoncimit të PD-së

“Parkime me koncesion”, Bashkia e Tiranës reagon pas denoncimit

Partia Demokratike denoncoi sot se Erion Veliaj do të japë me koncesion tek një firmë private mbledhjen e të ardhurave nga parkimet me pagesë në Tiranë.

“Për të rrjepur më shumë nga lekët qytetarët e Tiranës, Erion Veliaj do të vendosë disa pajisje për prerjen fizike të biletës. Ky shërbim do të paguhet ekstra nga qytetarët trk firma private që ka përzgjedhur Veliaj”, u shpreh zëdhënësja e PD-së Ina Zhupa.

Por, në një njoftim për median, Bashkia mohon diçka të tillë, ndërsa thekson se për shkak të nevojës për të krijuar lehtësi për qytetarin, ka propozuar vendosjen e pajisjeve vetëshërbyese (automatë) dhe aplikacione të ndryshme, në vendet e destinuara për parkim.

Reagimi i Bashkisë së Tiranës:

Bashkia e Tiranës vëren me keqardhje se Partia Demokratike përhapi sot qëllimisht një lajm abuziv dhe të pavërtetë lidhur me mënyrën e administrimit të parkimit në qytet nga Tirana Parking.

Në respekt të informimit të drejtë dhe transparent të qytetarëve të saj, Bashkia e Tiranës dëshiron të theksojë se Vendimi i Këshillit Bashkiak “Për një shtesë në vendimin Nr 49, datë 11.11.2015 “Për miratimin e kritereve të përcaktimit të zonave të administrimit të parkimit dhe nënzonave të destinuara për parkim, si dhe tarifave të shërbimit të parkimit të administruar nga Bashkia e Tiranës, të ndryshuar”, i cili pritet të diskutohet në mbledhjen e nesërme të Këshillit Bashkiak të Tiranës, nuk ka për qëllim të privatizojë apo të japë me koncesion shërbimin e parkimit në kryeqytet, siç dezinformoi qëllimisht sot Partia Demokratike.

Siç shprehet qartë edhe në relacionin shoqërues të VKB-së, aktualisht qytetarët e Tiranës e paguajnë parkimin përmes dy opsioneve: asaj me sms nga telefoni i tyre dhe direkt te inspektori përkatës i Tirana Parking. Por, jo të gjithë qytetarët kanë mundësinë për të patur kredit të mjaftueshëm në telefonat e tyre për kryerjen e pagesës, e për pasojë ata kanë kërkuar me të drejtë metoda të tjera alternative për kryerjen e pagesës së shërbimit të parkimit.

Për këtë arsye, por edhe nga nevoja për t’u krijuar lehtësi shërbimi qytetarëve të saj, Bashkia e Tiranës ka propozuar vendosjen e pajisjeve vetëshërbyese (automatë) dhe aplikacione të ndryshme, në vendet e destinuara për parkim, të cilat mund të punojnë gjatë periudhës kur shërbimi i parkimit është aktiv, si një metodë e thjeshtë dhe efektive për verifikimin e tarifës së parkimit, njësoj si në çdo vend tjetër perëndimor. Ashtu siç funksionon edhe sot, pagesa që do të kryhet përmes këtij shërbimi do të kalojë 100% për llogari të Bashkisë së Tiranës.

Të fundit