Flash News

KRYESORE

Parlamenti turk autorizon qeverinë që të dërgojë trupat në Libi

Parlamenti turk autorizon qeverinë që të dërgojë trupat

Parlamenti i Turqisë miratoi mocionin ku autorizon qeverinë për dërgimin e trupave në Libi. Në votim morën pjesë 509 deputetë, ku 325 deputetë votuan në favor të mocionit, kurse 184 kundër.

Partia në pushtet për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) dhe Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP) mbështetën mocionin, ndërsa partitë opozitare, Partia Popullore Republikane (CHP), Partia Demokratike e Popujve (HDP) dhe Partia IYI votuan kundër këtij akti.

"Qeveria e Pajtimit Kombëtar e Libisë bëri një kërkesë për ndihmesë ushtarake nga Turqia në luftën kundër kërcënimeve drejt unitetit dhe stabilitetit të Libisë. Nëse sulmet e të ashtuquajturës Ushtria Kombëtare e Libisë nuk mund të ndalen dhe nëse përleshjet (në Libi) kthehen në një luftë masive civile, interesat e Turqisë do të preken negativisht si në rajonin mesdhetar, ashtu dhe në Afrikën veriore" shkruhet në mocion, raporton Anadolu Agency.

Më 27 nëntor, Ankaraja dhe Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA) e Libisë e njohur nga OKB-ja nënshkruan dy pakte të ndara: një mbi bashkëpunimin ushtarak dhe tjetri për kufijtë detarë të vendeve në Mesdheun Lindor.

Në Libi janë dy forca që po përplasen, një në Libinë lindore e mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, me të cilën është i lidhur edhe gjenerali rebel Khalifa Haftar, kurse tjetra në Tripoli, që mbështetet nga ndërkombëtarët dhe OKB-ja.

Të fundit