Pas 20 muajsh “ngrirje”, rinis sot në Bruksel dialogu Kosovë-Serbi; Thaçi vijon intervistimin në Hagë

Pas rreth 20 muajsh “ngrirje”, sot rinis dialogu në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Detajet e takimit që pritet të nisë sot në orën 16.00 janë dhënë nga BE, ndërsa merr pjesë edhe përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, i shoqëruar nga Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun dhe çështjet tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.

“Pas rikthimit virtual të dialogut Beograd – Prishtinë të ndihmuar nga Bashkimi Evropian, të dielën më 12 korrik, një takim i dytë i nivelit të lartë do të mbahet në Bruksel të enjten më 16 korrik. Në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, do të jetë Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, i shoqëruar nga Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun dhe çështjet tjera të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak. Dialogu është paraparë të fillojë në orën 16:00″, thuhet në njoftim.

Përfaqësuesi i lartë do të japë një deklaratë për media para fillimit të takimit dhe përfaqësuesi special i BE-së, Lajçak, në fund të takimit, ndërsa media nuk do të jetë e pranishme për shkak të kufizimeve të lidhura me pandeminë.

Nga ana tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi edhe gjatë ditës së sotme do të intervistohet nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar në Hagë.

Sot shënon ditën e tretë radhazi që intervistohet me nga 6 orë. Thaçi akuzohet për krime lufte në aktakuzën e ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Presidenti ka deklaruar më herët se do të japë dorëheqjen, nëse aktakuza kundër tij konfirmohet.