Pas Haradinajt, Gjykata Speciale e Hagës thërret Kadri Veselin

Kryetari i PDK-së në Kosovë, Kadri Veseli ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale në Hagë. Gjatë konferencës për mediat, Veseli tha se do t’i përgjigjet pozitivisht kësaj ftese, më 4 dhjetor.

“Gjithë jetën kam qenë i angazhuar për të mirën e Kosovës dhe këtë e kam bërë tërësisht në baza vullnetare dhe me përkushtimin më të lartë. E kam nisur si fëmijë, si nxënës i shkollës fillore në Mitrovicë, me demonstratat e prillit të vitit 1981, si pjesëmarrës, e pastaj në shumicën prej tyre edhe si organizator dhe drejtues. Nga mesi i viteve ’80, unë kam hyrë me ideal në organizatat patriotike, anti-jugosllave, për ta kundërshtuar robërinë dhe për të punuar për lirinë. Kam qenë i bekuar që isha një ndër ideatorët dhe themeluesit e saj, luftëtar i lirisë deri në çlirimin e vendit. Përpjekjet e kombit tonë për liri – kanë qenë jeta jonë. Të gjithë së bashku arritëm lirinë dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës është simboli i saj. Por, duhet pranuar një fakt, lufta e drejtë e popullit tonë për liri ka qenë e sulmuar vazhdimisht”-tha ndër të tjera Veseli në konferencën për shtyp.

Kujtojmë se edhe kryeministri në largim, Ramush Haradinaj u ftua nga Specialja në Hagë, arsye për të cilën dha edhe dorëheqjen.