Flash News

KRYESORE

Pas ministrave, lista e dytë e shkarkimeve të Ramës; drejtorët që pritet të lënë karriget

Pas ministrave, lista e dytë e shkarkimeve të Ramës;

Në fund të dhjetorit, kur pak kush e priste, Edi Rama njoftoi tetë ndryshime në kabinetin qeverisës. Që në ekzekutiv do të kishte lëvizje, ishte një gjë e pritshme, por aludohej se ato do të bëheshin në muajin mars, kur Partia Socialiste do të zhvillonte mbledhjen e Kongresit.

Me peripecitë juridike, ku nuk munguan as përplasjet mes kryeministrit dhe Presidentit, ministrat e rinj nisën zyrtarisht nga puna ditën e djeshme.

Por Politiko.al ka mësuar se në radhët e përfaqësuesve të mazhorancës nuk është rikthyer ende qetësia. Një valë e re shkarkimesh dhe emërimesh, këtë radhë në nivele të larta të administratës është parashikuar të ndodhë në javët e ardhshme.

Burime nga selia rozë i thanë Politiko-s se pas largimit të ministrave, do të shkarkohen nga detyra edhe drejtuesit e institucioneve më të rëndësishme.

Mësohet se pas largimit të Damian Gjiknurit nga posti i ministrit të Transporteve dhe Energjisë, do të shkarkohen nga detyra edhe tre drejtorë të rëndësishëm. Bëhet fjalë për kreun e ARRSH-së, Afrim Qendro, atë të OSHEE-së, Ardian Çela dhe kreun e OST-së.

Sa i takon drejtorive që mbulon ministra e Financave, Politiko.al ka mësuar se do të shkarkohen drejtuesit e drejtorisë së Tatimeve dhe Doganave.

Ndryshimet do të prekin edhe AZHBR-në, AKU-në dhe drejtori të tjera të rëndësishme, si zyrat e Hioptekave.

Të njëjtat burime, i thanë Politiko-s, se këto lëvizje janë vendim i kryeministrit dhe jo vendimmarrje nga ana e ministrave të rinj.

Mësohet se shkak për këtë vendim, janë akuzat që janë ngritur për këta drejtues, por edhe performanca e tyre. Në platformën shqipëriaqëduam.al ka pasur një numër të madh ankesash nga ana e qytetarëve sa i takon punës së bërë nga këto institucione dhe për këtë arsye duket se Rama ka vendosur të ndryshojë drejtuesit e tyre.

Por jo vetëm kaq, një pjesë e tyre, lidhet edhe me angazhimin që pritet të marrin gjatë fushatës së ardhshme elektorale./Politiko.al

 

Të fundit