Flash News

KRYESORE

Pas mossuksesit

Pas mossuksesit

Vladimir Gligorov / Novi Magazin

Takimi në Paris u shty sepse nuk pati gjasa që të zgjidhë ndonjë gjë. Tani Bashkimi Europian gjendet para zgjedhjes së udhëheqjes së re, le ta quajmë kështu, e cila në një moment të caktuar do të merret me strategjinë e zgjerimit. Ose, nga ana tjetër, të moszgjerimit. Cilat janë strategjitë e mundshme, nëse do të ketë të tilla?

Ma merr mendja, se fillimisht do të vlerësohet qëndrueshmëria që kanë arritur Zonja Mogerini dhe Zoti Han. Dhe kjo është më së pari normalizimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, dhe pas kësaj gjithçka është më lehtë. Le ta quajmë këtë strategji serbe. Ose më mirë të themi strategji e Vuçiçit. Gjermania, së paku nga gjithçka që dimë, ka qenë mbështetëse e kësaj strategjie. Atëherë Mogerini dhe Hani pranuan idenë e ndërkufizimit, me të cilën, si të thuash, zgjidhet gjithçka. Dhe kjo strategji dështoi. Zoti Vuçiç luajti një rol të madh në të gjithë këtë, nuk dihet nëse e dinte apo jo se çfarë po bënte, kjo vështirë të thuhet. Tani është shumë e vështirë të shihet nëse BE-ja do të vendosë për të njëjtin qëndrim. Kjo gjithsesi nuk do të thotë se nuk do të vazhdojë të merret në shqyrtim ajo strategji sipas së cilës kyçi i zgjidhjes është te Beogradi, ose më mirë të themi të shtyhet gjithçka derisa të mos bëhen hapat përkatës të afrimit të Serbisë me BE-në.

Një strategji alternative do të ishte ajo që të ndahen më vete vendet që vazhdojnë të kenë probleme me kufijtë, dhe sëbashku me këtë edhe me sigurinë, pra si të thuash të skicohet gjeografia e animoziteteve. Kësisoj, vendet që ia arritën të gjenden në anën tjetër të këtyre kufijve të vendeve në konflikt, të popujve, kombeve etnike, t’i bashkohen BE-së sipas procedurës tashmë në fuqi. Kjo do të thoshte që të bisedohet me Malin e Zi dhe Maqedoninë me vendosmëri në mënyrë që ato të përgatiten të bëhen antarë të rinj.

Nëse do të pranohej kjo strategjia e dytë, kjo do të thoshte se vendet që janë kyçur në mënyrë direkte ose indirekte në konfliktin në Kosovë dhe në Bosnjë e Hercegovinë të trajtohen para së gjithash si burime pasigurie, domethënë problem për sigurinë. Kjo do të thoshte që në këtë rast rol më të madh do të kishin vendet dhe organizatat që jnë në gjendje t’i përkushtohen këtyre problemeve më mirë sesa BE-ja. Dhe këto janë SHBA dhe NATO.

Kjo do të ishte thjesht kthim prapa aty ku ishim para 10 ose madje edhe 20 vite më parë. Vetëm me ndryshimin se nga vatra e konfliktit janë ndarë më parë Kroacia e tani Mali i Zi dhe Maqedonia. Nëse me këtë do të vlerësohej suksesi i qeverive serbe, dhe në mënyrë të veçantë, shtatë vitet e Vuçiçit, ecuria do të ishte dërrmuese. Pyetja shtrohet nëse duhej të ishte e drejtë një gjë e tillë dhe nëse pikërisht ky ishte qëllimi, nëse në radhë të parë politika e zotërinjve Vuçiç dhe Daçiç ka qenë pikërisht ajo që të deklarohet dhe premtohet shumë dhe të mos bëhet asgjë?

Kjo pyetje nuk është edhe aq për opinionin publik serb dhe ideologët e llojeve të ndryshme, por mbi të gjitha për BE-në. Kur të shqyrtohet përsëri strategjia ndaj të ashtuquajturit Ballkani Perëndimor, pika e parë dhe e vetme do të jetë se ku gjenden partnerët e përgjegjshëm? Dhe kur të vlerësohet realizimi i strategjisë që bazohet në europianizimin e Serbisë si zgjidhje për tërë rajonin, për zgjidhen mbi të gjitha të problemeve të sigurisë, dhe pastaj edhe të vendosjes së ndonjëfarë shteti të së drejtës dhe demokracisë efikase, do të duhet të shqyrtohet seriozisht besimi që mund të ekzistojë te përfaqësuesit aktualë të pushtetit në Serbi. Sepse nuk mund të evitohet konkluzioni se pothuajse në asnjë rast në këto njëzet vitet e fundit nuk është përmbushur asnjë pritmëri me të cilat është inicuar ndonjëfarë lloj bashkëpunimi me udhëheqësit serbë.

Mua nuk do të më befasonte nëse do të konkludohej se pikërisht në Serbi nuk ekzistojnë partnerë për zgjidhjen e problemeve rajonale dhe, në përgjithësi, as për zgjidhjen e problemeve të brendshme në Serbi. Nëse ky vërtetë është një përfundim që vjen nga zhgënjimi, atëherë mund të pritet që e tërë ideja mbi fuqinë e butë europiane të vazhdojë të zbatohet në vende siç janë Mali i Zi dhe Maqedonia, dhe të vazhdohet me zgjidhjen, ose sëpaku stabilizimin e problemeve rajonale të sigurisë me mbështetjen mbi të gjitha në fuqinë e ngurtë, nëse mund ta emërtojmë kështu.

Ky do të ishte çmimi i mossuksesit të përpjekjes gjermano-franceze për të arritur deri te normalizimi, jo vetëm në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës, por të tërë gjeografisë së mbetur ballkanike. Nëse nuk ka normalizim të situatës, siguria del në plan të parë dhe ky nuk është qëllim te i cili mund të arrihet vetëm duke zbatuar fuqinë e butë.

*Përktheu për Politiko.al: Xhelal Fejza

Të fundit