Flash News

KRYESORE

Pas përgjimeve të BILD kandidati i PD falenderon dibranët dhe i çon Bashës një 'mesazh'  

Pas përgjimeve të BILD kandidati i PD falenderon dibranët dhe i

Sherefedin Shehu, kandidati i Partisë Demokratike në zgjedhjet për Bashkinë e Dibrës në vitin 2016, ka reaguar pas përgjimeve të bëra publike në gazetën BILD. Me sa duket 'i përligjur' në humbjen e tij, Shehu falenferon dibranët që nuk u gjunjëzuan para parasë, drogës dhe dhunës shtetërore. Ai shkruan se vota e dibranëve u përdhos.

Shehu e konsideron mosmirënjohës ish-shefin e tij në parti, Bashën, që sipas tij e kandidoi pa e pyetur dhe më pas e përzuri nga funksionet drejtuese në parti pa e takuar kurrë.

Mesazhi i plotë në Facebook i Shehut:

Të dashur Dibranë,

Tashmë u provua me zë dhe figurë se ju nuk u gjunjëzuat para parasë, drogës dhe dhunës shtetërore. Ndonëse ne e dinim, tani e ri-dëgjuan në gjuhën shqipe dhe mbarë bota e lexoi në gjuhën gjermane dhe angleze se vota juaj u përdhos nga i pari i vendit dhe ushtria e tij me deputetë, shefa të degraduar policie, drejtues të korruptuar të administratës publike qendrore dhe vendore dhe kriminelë ordinerë. Dhe këta të pacipë guxojnë dhe thonë përsëri që vulgariteti, perversiteti dhe kërcënimet e bëra në bisedat e tyre telefonike janë biseda normale mes shokësh dhe militantësh.

Duke ju falënderuar edhe njëherë për mbështetjen tuaj dua që ta dini se unë nuk e kisha kërkuar dhe pranuar këtë kandidim, mbasi e konsideroja një kthim mbrapa në karrierën time profesionale dhe politike. Z. Basha e bëri këtë kandidim fakt të kryer duke e njoftuar në media akoma pa marrë miratimin tim dhe të grupit që kishte mbledhur për të vendosur për kandidaturën në Dibër. Por, unë e mora përsipër për hir të detyrimit ndaj jush që më nxorët në balotazh kundër bandave të armatosura të PS-së në 1997, më votuat si asnjëherë në 2009 dhe më nxorët fitues edhe në 2013 kur PD humbi në zonat e tjera të qarkut Dibër dhe të Shqipërisë.

Bashkë bëmë më të mirën edhe në 2016. Dhe sot ndjehem krenar për ju, por i lënduar nga mosmirënjohja e z. Basha. Që nga data 12 Shtator 2016 kur u përshëndeta me të në hollin e hotelit në Peshkopi unë nuk kam mundur që ta takoj asnjëherë personalisht. Madje nuk kam marrë prej tij asnjë telefonatë apo mesazh mirënjohje, falënderimi ose keqardhje. Në vend të tyre, kur i erdhi në dorë, më përzuri politikisht nga PD duke më hequr nga pozicionet që kisha si Anëtar Kryesie dhe i Këshillit Kombëtar të PD-së.

Megjithatë unë do të vazhdoj të mbaj teserën e PD-së sepse marrëdhënia ime është ndërtuar me ju dhe jo me Kryetarin e radhës. Unë do të vazhdoj të jem pranë jush dhe të luftoj bashkë me ju që nderi dhe dinjiteti i shqiptarëve të mos shiten dhe blihen dhe në Shqipëri të bëhen zgjedhje dhe jo ndërrime prapanicash në karriken Kryeministrore.

Të fundit