Flash News

KRYESORE

Patozi: Amerika është investuar në ndryshimin e moçalit politik shqiptar; Rama e Basha bëjnë sikur s’shohin

Patozi: Amerika është investuar në ndryshimin e moçalit

Koordinatori i Bindjes Demokratike Astrit Patozi, thotë se në vend po luhet një teatër politik i radhës.

Duke marrë si shembull propozimin e ambasadores së SHBA, Yuri Kim për ndryshimin e sistemit zgjedhor, Patozi thotë se Amerika po investon për të ndryshuar moçalin politik shqiptar.

“Gjëja që mendoj është thembra e Akilit, në këtë teatër që po luhet. Unë dje për herë të parë kam parë një kohezion të jashtëzakonshëm, mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Edi Rama të gjithë jetën e tij e ka kaluar duke përçmuar Lulzim Bashën. Ai ka shumë të meta, por nuk mund ta akuzojë kush për mungesë fantazie. Ai tha të njëjtën fjali si Lulzim Basha që nuk ka një porpozim amerikan, pikërisht në çastin, ku ai propozim i zonjës Kim po publikohej me radhë në të gjitha portalet e Shqipërisë”, tha Patozi në një intervistë për gazetarin e Top Talk Denis Dyrnjaja.

Patozi u shpreh se Rama dhe Basha bëjnë sikur nuk e shohin propozimin amerikan për zgjedhjet, duke ju referuar deklaratave të tyre se ‘nuk dinë gjë’.

“E dinë kush do të jetë përgjigja e tyre po t’i pyesësh, përse i mohoni, se nuk na ka ardhur te ne por i ka ardhur Darmianit dhe Oerdit, do të thonë. Kjo është një akrobaci për të kaluar ditët, për ta shtyrë, për ta zvarritur këtë çështje. Ndërkohë që kjo çështje, është kruçale në Shqipëri. Lajmi më i mirë nuk është që Ambasada Amerikane përmend Reformën në Drejtësi, si vijën e kuqe që nuk duhet të shkelet. Kjo nuk është më një lajm, kjo është një gjë që ato e kanë thënë në mënyrë të qëndrueshme për pesë vite. E reja është që për herë të parë,  faktori më i rëndësishëm diplomatik në Shqipëri, pra aleati jonë më i madh, më i fuqishëm dhe strategjik. Është investuar për ndryshimin e moçalit politik. Ky është lajmi dhe kjo është gjëja që duhet trajtuar sot. Ata të mos bëjnë sikur nuk e shohin, se nesër janë të detyruar të japin një përgjigje”, përmbylli koordinatori i Bindjes Demokratike Astrit Patozi.

Të fundit