Patozi pret oferta: Gati të bashkëpunoj me Bashën ose Ramën, mjafton të plotësohet kushti im

Koordinatori i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi shprehet se është gati të bashkëpunojë me Partinë Demokratike, por edhe me qeverinë, mjafton që të kenë vullnet për ndryshimin e sistemit zgjedhor.

“Unë jam në krah të çdo faktori opozitar, ku përfshihet sigurisht edhe PD, mjafton që të jemi bashkë në qëllimin final për ta rrëzuar këtë qeveri me zgjedhje të parakohshme, sipas disa standardeve të reja që të anashkalojmë këtë sistem të kalbur politik. Unë nuk refuzoj askënd për bashkëpunim politik. Jam i gatshëm të bashkëpunoj edhe me Rilindjen nëse qeveria është dakord për ndryshimin e sistemit”, sqaroi Patozi në A2 CNN.

Sipas tij, sistemi aktual me lista të mbyllura favorizon hapur partitë e mëdha dhe rrisin kultin e kryetarëve të tyre. “Ky sistem, që është në grahmat e fundit, ka degraduar dhe ka prodhuar krizat e fundit. Sistemi ynë politik favorizon qartazi partitë kryesore dhe i ka kthyer këto parti në sulltanate të kryetarëve. Ne përveçse kemi sistem të keq, e aplikojmë edhe keq. Partitë kryesore duan ta ruajnë këtë sistem. Duhet t’i çlirojmë partitë nga sundimi i njëshit dhe të çlirojmë institucionet, për të shkuar në zgjedhje normale. Partitë kryesore mund të mos bien dakord për asgjë në këtë botë, por bien dakord pa u takuar fare kur vjen puna te sistemi”, ngul këmbë Patozi.

Bindja Demokratike, e cila hyri në procesni e 30 qershorit për të luajtur rolin e opozitë, nuk arriti të fitonte asnjë bashki.