PD: Emërimi i Gent Ibrahimit në krye të KLP-së, provë e kapjes politike të organit të ri të qeverisjes së prokurorisë

Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me emërimin e Gent Ibrahimit në krye të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Përmes një deklarate për mediat, selia blu thotë se kjo është prova e kapjes politike të organit të ri të qeverisjes së prokurorisë teksa thekson se eksperti i qeverisë për reformën në drejtësi dhe kunati i ish ministres Kodheli nuk duhet ta kishte fare vendin në KLP.

“PD ka denoncuar kohë më parë projektin e Edi Ramës për të emëruar kryetarët e dy organeve që qeverisin drejtësinë. Emërimi i sotëm provoi se shqetësimi i Partisë Demokratike ishte i drejtë”, thuhet ndër të tjerash në deklaratën e Partisë Demokratike.

Deklarata e plotë

Emërimi i Gent Ibrahimit në krye të Këshillit të Lartë të Prokurorisë është prova e kapjes politike të organit të ri të qeverisjes së prokurorisë.

Eksperti i qeverisë për reformën në drejtësi dhe kunati i ish ministres Kodheli nuk duhet ta kishte fare vendin në KLP. Por Genti Ibrahimi është aty si investimi politik i Edi Ramës për të kontrolluar sistemin e drejtësisë.

PD ka denoncuar kohë më parë projektin e Edi Ramës për të emëruar kryetarët e dy organeve që qeverisin drejtësinë. Emërimi i sotëm provoi se shqetësimi i Partisë Demokratike ishte i drejtë.

Edi Rama nuk ka ndërmend të ndërtojë një drejtësi më të mirë për shqiptarët, por një drejtësi që i shërben atij, ministrave të tij të korruptuar dhe krimit të organizuar me të cilin bashkëqeveris.

Me kapjen politike të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Edi Rama synon t’i shpëtojë drejtësisë, duke kontrolluar dhe penguar SPAK-un të bëjë atë që shqiptarët presin me padurim: burg për politikanët dhe zyrtarët e korruptuar e të lidhur me krimin.