PD i kujton Ramës kushtet e Bundestagut: Asnjë procedim penal për hajdutët e votave, prokuroria ka ndaluar verifikimet

PD, përmes Enkelejd Alibeajt lajmëron se prokuroria ka stopuar verifikimin në të paktën 3 bashki të vend për kryebashkiakët që sipas PD janë të përfshirë në blerje votash dhe shkelje të tjera.

“Hajdutët e votave janë të paprekshëm. Ata nuk hetohen dhe nuk ndëshkohen, sepse i shërbejnë pushtetit të korruptuar dhe të kriminalizuar të Edi Ramës”-thekson Alibeaj.

“Megjithëse kanë kaluar disa javë nga denoncimi i tyre, kriminelët e Ramës vazhdojnë të drejtojnë bashkitë, vazhdojnë të  mos përballen me drejtësinë për shkak të mosveprimit të prokurorisë.

Prej më shumë se 3 muajsh, Partia Demokratike ka referuar në prokurori krimin shtetëror të 30 Qershorit, rastet flagrante të blerjes së votave, presionit mbi administratën, shkeljen flagrante të ligjit nga komisionerët e të gjitha niveleve, manipulimin e votave në 30 Qershor, por organi i prokurorisë nuk ka bërë asnjë veprim.

Deri tani:

  • Nuk ka asnjë procedim penal të regjistruar.
  • Nuk ka asnjë person të hetuar.
  • Nuk ka asnjë person të arrestuar.

Nën kontrollin e Edi Ramës po veprohet kundër vullnetit të Bashkimit Europian për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

Hetimi i krimeve elektorale është një nga 9 kushtet e vendosura nga  Bundestagu gjerman për hapjen e negociatave me Shqipërinë, por prokuroria hesht. Hajdutët e votave janë të paprekshëm. Ata nuk hetohen dhe nuk ndëshkohen, sepse i shërbejnë pushtetit të korruptuar dhe të kriminalizuar të Edi Ramës”-tha ndër të tjera Alibeaj.