PD i nxorri dokumentet që e ‘fundosën’, Rama ‘ndan rrugët’ me Pjetrin: Jo Valdrini, po vëllai im të jetë nuk e toleroj

Kryeministri Rama ka reaguar pas publikimit nga Partia Demokratike, të dokumenteve për ndalimin e Valdrin Pjetrit në Itali.

Dokumentet hodhën dritë se Pjetri, kandidati socialist i dalë nga 30 qershori ishte dënuar dhe dëbuar nga shteti italian për trafik droge.

Me disa postime në ‘Twitter’ Rama shkruan se përpara ligjit nuk do të tolerojë askënd, duke thënë se ‘Jo Valdrini, po vëllai im të jetë,s’ka shans të hedhë asnjë hije dyshimi mbi PS dhe mbi mua,në raport me ligjin e me besnikërinë ndaj popullit!

Reagimi i plotë i Edi Ramës

Jo Valdrini, po vëllai im të jetë,s’ka shans të hedhë asnjë hije dyshimi mbi PS dhe mbi mua,në raport me ligjin e me besnikërinë ndaj popullit! Përgjegjësia për çdo akt individual të padenjë është individuale.Përgjegjësia jonë është si reagojmë ndaj një akti të padenjë individual!

I edukuar,i zoti,i respektuar familjarisht në Shkodër e kudo ka punuar,po kjo s’mjafton më!Kurrë s’kam menduar se Valdrini mund të fshehë të vërtetën në raport me ligjin,po deri kur e vërteta ligjore të dalë, Valdrin Pjetri dhe Partia Socialiste i kanë rrugët e ndara plotësisht.

E me këtë rast,të tërë ta fusin mirë në kokë:Unë s’kam ndërmend të toleroj askënd dhe as të marr përsipër raportin individual me ligjin të askujt!Shkoj në luftë për çdo ide,qëllim a shok armësh,po kosto veprimesh individuale të dyshuara si ky,as marr më,as lejoj më t’i marrë PS!