Flash News
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
PD-LSI kërkon takim, Këshilli Politik mblidhet sërish sot për ndryshimet kushtetuese; Gjiknuri: Lini kërcënimet, sillni propozimet në tryezë
Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore pritet të mblidhet sërish sot pasdite në orën 17.00 pas kërkesës së opozitës jashtëparlamentare.
Diskutimet kanë në fokus ligjin elektoral që sanksionon e hapjes së listave zgjedhore, por demokratët dhe aleatët e tyre e kanë kundërshtuar me forcë një akt të tillë që sipas tyre do të ketë pasoja të paparashikueshme për stabilitetin politik të vendit.
Përfaqësuesit e PD, Oerd Bylykbashi dhe ai i LSI, Petrit Vasili kanë shkëmbyer disa e-maile prej mbrëmë me Damian Gjiknurin nga PS, ku i kërkojnë takim për të diskutuar lidhur me këto ndryshime kushtetuese. Në takim pritet të jetë edhe Rudina Hajdari nga opozita parlamentare.
Fillimisht, PD e LSI kërkon të vijohet dialogu, për çdo çështje, por pa cenuar marrëveshjen e 5 Qershorit.
Në përgjigje, Gjiknuri insiston që rekomandimet për ligjin t’i nisin me mail dhe më pas nëse kanë diçka për të diskutuar, të mblidhen sërish, si dhe të sjellin në tryezë propozimet e tyre në mënyrë që palët të negocionin për një rrugë të mesme.
E-maili i parë i Bylykbashit dhe Vasilit:
Zoti Gjiknuri, duke ndjekur deklarimin tuaj publik dhe të Kryetarit të Partisë Socialiste, shprehim keqardhjen tonë për dezinformimin e opinionit publik në lidhje me qëndrimin e opozitës në mbledhjen e sotme të Këshillit Politik. Ne nuk kemi refuzuar të diskutojmë asnjë çështje. Opozita ka kërkuar, që çdo çështje që lidhet me zgjedhjen, të diskutohet dhe shqyrtohet në Këshill.
Sot (dje)në mëngjes në Parlament, Kryetari i Partisë Socialiste pohoi se amendamenti kushtetutes i njënanshëm që është depozituar në Kuvend, NUK NDRYSHON, sepse procedura parlamentare nuk e lejon!!! Nëse amendamenti kushtetues i njëanshëm nuk ndryshon, sepse Rregullorja e Kuvendit nuk e lejon, atëherë për çfarë po na ftoni të diskutojmë apo dialogojmë? Për një amendament që nuk ndryshon?
Ky qëndrim dhe qëndrimi juaj zyrtar sot në Këshill, dëshmon se ju nuk jeni të hapur për diskutime, ndërkohë që Opozita kërkon që diskutimi të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës, duke hequr dorë nga FAKTI I KRYER. Teoria e “faktit të kryer” shkon kundër parimeve të dialogut politik, që nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë fasadë.
Kjo është arsye që ne kërkuam që nëse ju keni një çështje që lidhet me zgjedhjet për diskutim, atë duhet ta sillni në Këshillin Politik, për t’u përfshirë të gjithë bashkë në një proces transparent dhe gjithëpërfshirës, që lejon një produkt të përbashkët dhe konsensual, dhe jo një produkt që është paracaktuar nga ana juaj dhe ku Opozita politike e vendit është e përjashtuar. Nëse produkti është i paracaktuar në mënyrë të njëanshme dhe është i pandryshueshëm siç ju shpreheni, atëherë ju ribëj me dije se po shkelni Marrëveshjen e 14 Janarit dhe 5 Qershorit, sepse po kryeni ndryshime thelbësore në legjislacionin zgjedhor pa pyetur, diskutuar dhe marrë mendimin dhe konsensusin e Opozitës politike të vendit, duke zhbërë produktin e përbashkët të 5 Qershorit.
Gjithësesi, në vijim edhe të deklarimit tuaj të pavëretë në media, kërkojmë mbledhjen e Këshillit Politik nesër, ora 17:00, për të vijuar dialogun, për çdo çështje, por pa cenuar marrëveshjen e 5 Qershorit.
E-maili i Gjiknurit:
Të nderuar z.Bylykbashi dhe z.Vasili,
E kuptoj nevojën tuaj të motivuar politikisht për të nisur letra pune në formë deklaratash politike për qëllime mediatike. Por unë nuk kam dizinformuar askënd dhe thjesht kam thënë të vërtetën e mbledhjes si gjithmonë. Takime që siç i gjithë opinioni publik e di, bëhen me rekorde dhe nën vëzhgimin nga afër të partnerëve tanë ndërkombëtarë.
Më lejoni të ju rikujtoj se në mbledhjen e datës 21 Korrik, Kryetari i Partisë Socialiste z.Edi Rama ju ftoi të jepni kontributin tuaj në funksion të përshtatjes së ligjit elektoral me nismën e opozitës parlamentare për hapjen e listave zgjedhore, nismë tashmë e miratuar në Këshillin e Rregullores dhe Komisionin Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.
Z.Rama ju ftoi që të shtroni çdo pikëpyetje tuajën, të diskutoni çdo merak dhe të dakordësohemi për sa i takon korrektimeve që nevojitet të bëhen në ligjin elektoral për të reflektuar sanksionimin e hapjes së listave zgjedhore.
Qëndrimi juaj ishte kategorik dhe refuzues për të diskutuar mbi këtë çështje pa u miratuar paraprakisht amendamentet e ligjit elektoral bazuar mbi produktin e marrëveshjes politike të 5 Qershorit.
Jo më larg se dje keni refuzuar të vini në Këshillin Politik, pikërisht sepse siç e keni shprehur edhe publikisht nuk donit të diskutonit për temën e ndryshimeve kushtetuese, që sipas jush jo thjesht cënon marrëveshjen por as nuk ekziston si temë. Edhe thënia që në mesazhin tuaj i vini në gojë Kryeministrit, nuk ka aspak kuptimin që ju qëllimisht i mvishni në komentin tuaj. Besoj ju e dini se ndryshimet kushtetuese në procedurën parlamentare janë të pandryshueshme si të tilla, çka sidoqoftë nuk kam asnjë problem ta diskutojmë nëse qëndron apo jo qoftë edhe si fakt i shkruar e zeza mbi të bardhë.
Ditën e sotme, Kuvendi i Shqipërisë miratoi pa asnjë ndryshim projektligjin e amendimeve në ligjin zgjedhor. Në mbledhjen e sotme të Këshillit Politik ju kërkova të shpreheni nëse jeni dakord të diskutoni mbi këtë çështje. Ju refuzuat që të diskutoni duke mos njohur dhe injoruar nismën e 28 deputetëve të opozitës parlamentare dhe gjithë procedurat e ndjekura nga një organ plotësisht legjitim si Kuvendi i Shqipërisë.
Nga emaili juaj i fundit, nënkuptohet se keni reflektuar dhe keni ndryshuar qëndrim ndërsa shpreheni të gatshëm të jepni kontributin tuaj për reflektimin në ligj elektoral të sanksionimit kushtetues për hapjen e listave.
Duke e përshëndetur këtë reflektim tuajin nëse është i tillë, ju kërkoj që të dërgoni paraprakisht propozimet tuaja në funksion të reflektimit në ligjin elektoral të hapjes së listave që sanksionohet nga ndryshimi kushtetues.
Duke ju rikujtuar se në datën 30 Korrik, Kuvendi voton amendamentin kushtetues që hap listat, ju shpreh gatishmërinë e mazhorancës për tu ulur në tryezë sapo ju të keni dërguar paraprakisht propozimet që do ti bëni Këshillit për këtë çështje.
Në fund, do të ju lutesha shumë që t’i lini mënjanë paragjykimet dhe opinionet propagandistike. Vërtetë ju mungon foltorja e Parlamentit prej ku u larguat me vullnetin tuaj të lirë, por e-mailet e punës dhe tryeza e punës së Këshillit nuk janë mjete propagandistike. Gjithashtu, do ju lutesha të hiqni dorë nga paralajmërimet kërcënuese në komunikimet elektronike sepse e bëjnë qesharake tryezën e punës sonë të përbashkët dhe dëmtojnë qëllimin e saj.
Në funksion të konfirmimit të mbledhjes së rradhës së Këshillit, ju lutem edhe njëherë sa më shpejt të na vini në dispozicion paraprakisht propozimet tuaja.
Faleminderit
Damian Gjiknuri
Opozita e bashkuar resgon sërish:
z.Gjiknuri,
Po ju përsërisim se në dialog politik, nuk mund të veprohet me teorinë e faktit të kryer! Është gabim dhe miqësisht vlerësoni mundësinë për të reflektuar për këtë qëndrim të paprecedentë.
Edhe në email tuaj ju e beni ndryshimin kushtetues fakt të kryer dhe na ftoni të dialogojmë sesi do ta detajojmë në ligjin ekektoral.
Këtë fakt nuk pranoi Opozita në mbledhje dhe nuk mund ta pranojmë, sepse ne i qëndrojmë strikt marrëveshjeve politike që kemi nënshkruar, dhe se ndryshimet kushtetuese për çështjet e zgjedhjeve duhet të bëhen gjithmonë në një proces gjithëpërfshirës dhe të hapur. Ato nuk mund të na serviren si fakt i kryer, ndërkohë që ne po ju kërkojmë të diskutojmë bashkërisht për çdo çështje që lidhet me zgjedhjet.
Teorinë e faktit të kryer ju e aplikoni edhe në email tuaj të fundit. Po ju citoj:
“Kryetari i Partisë Socialiste z.Edi Rama ju ftoi të jepni kontributin tuaj në funksion të përshtatjes së ligjit elektoral me nismën për hapjen e listave zgjedhore, nismë tashmë e miratuar”;
“Z.Rama ju ftoi që dakordësohemi për sa i takon korrektimeve që nevojitet të bëhen në ligjin elektoral për të reflektuar sanksionimin e hapjes së listave zgjedhore.”.
“shpreheni të gatshëm të jepni kontributin tuaj për reflektimin në ligj elektoral të sanksionimit kushtetues për hapjen e listave.”. [Kjo është e pavërtetë sepse nuk kemi thënë këtë në email tonë]
“ju kërkoj që të dërgoni paraprakisht propozimet tuaja në funksion të reflektimit në ligjin elektoral të hapjes së listave që sanksionohet nga ndryshimi kushtetues.”
“në datën 30 Korrik, Kuvendi voton amendamentin kushtetues që hap listat.”.
Ne nuk kemi refuzuar dialogun as dje, as sot dhe as kurrë. Siç ju e dini, kishim konfirmuar që jemi në pamundësi për të qenë në mbledhje dje dhe kërkuam që mbledhja të zhvillohet sot. Por edhe mbledhjen ju e bëtë fakt të kryer.
Unë dhe kolegu Vasili do të jemi nesër në mbledhjen e Këshillit Politik për të diskutuar për çdo çështje që ju mendoni se duhet të trajtohet në kuadër të Reformës Zgjedhore.
Mirëpresim pa asnjë paragjykim të na parashtroni qëllimin e iniciativës së njëanshme që keni ndërmarrë dhe që na e keni vënë në dispozicion vetëm në mbledhjen e datës 20 Korrik, pra vetëm 3 ditë më parë!!! Mbi këtë jemi të gatshëm të diskutojmë pa asnjë shtrëngim kohor, sepse Kushtetuta e Shqipërisë nuk mund të trajtohet si rregullore kooperative që shqyrtohet, diskutohet e miratohet për 3 ditë!!! Aq më tepër ku ajo prek zgjedhjet, ku çdo aktor zgjedhor dhe parti politike duhet të ketë zërin dhe mendimin e tij, në një proces gjithpërfshirës, të sinqertë dhe të hapur.
Shihemi neser! Ju përshëndesim!
Oerd Bylykbashi
Petrit Vasili
Lexo edhe: Vijojnë replikat, Gjiknuri tjetër e-mail PD-LSI: Në pritje të propozimeve tuaja