Flash News

KRYESORE

PD: Rama e Nikolla, përgjegjësit kryesorë të braktisjes së arsimit nga 133 mijë nxënës e studentë

PD: Rama e Nikolla, përgjegjësit kryesorë të braktisjes

Partia Demokratike, përmes deputetit Luçiano Boçi, ka bërë përgjegjës kryeministrin Edi Rama dhe ministren Lindita Nikolla për faktin që 133 mijë nxënës dhe studentë kanë braktisur shkollën në 4 vitet e fundit.

“Nga Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla dhe Kryeministri Edi Rama, dy përgjegjësit kryesorë për dështimin e arsimit ne Shqipëri, nuk ka asnjë reagim. Ata duan ta kalojnë në heshtje faktin tronditës se 1 në 6 fëmijë dhe të rinj ka braktisur shkollën në 4 vitet e para të keqqeverisjes së tyre. Edi Rama dhe Lindita bëjnë sikur asgjë nuk ka ndodhur, pavarësisht se: arsimi 9 vjeçar është braktisur nga 57,403 nxënës, arsimi mesëm nga 31,875 nxënës, arsimi i lartë është braktisur nga 44,425 studentë”, tha Boçi.

Deputeti i PD-së tha se kjo është pasojë e uljes vit pas vitit të buxhetit për arsimin.

“Sipas premtimit mashtrues të Rilindjes shpenzimet mesatare për një nxënës duhet të ishin mbi 92 mijë lekë, por buxheti këtë vit është më pak se ai i 2013-ës: 68 mijë lekë për 1 nxënës në fillore dhe 72 mijë lekë për 1 nxënës në gjimnaz. 133 mijë nxënës kanë braktisur shkollat, sepse cilësia e mësimdhënies ka rënë vit pas viti! Edi Rama dhe Lindita Nikolla kanë hapur tenderin për mësues militantë, por nuk kanë investuar në pajisjen e shkollave me mjetet e duhura për arsim cilësor, në modernizinin e laboratorëve, bibliotekave dixhitale, laboratorët shkencorë dhe të IT-së”, theksoi Boçi.

Deputeti demokrat theksoi edhe një herë angazhjimet e PD-së sa i takon sistemit arsimor në vend.

“Partia Demokratike; Do të sigurojë tekste falas për të gjithë fëmijët që ndjekin arsimin publik, pa përjashtim. Do të sigurojë mbështetje për nxënësit e familjeve në nevojë. Do të mbështesë financiarisht nxënësit e talentuar e të shkëlqyer. Partia Demokratike do të shfuqizojë Ligjin e Arsimit të Lartë duke i dhënë mundësinë çdo të riu të ndjekë studimet, pavarësisht gjendjes ekonomike të familjes së tij. Partia Demokratike do të mbështesë mësuesit dhe pedagogët duke siguruar kushte dinjitoze pune. Për Partinë Demokratike, arsimi cilësor është prioritet i të gjitha prioriteteve, si kontributi më madhor për rininë dhe të ardhmen!”, përfundoi Boçi.​

 

Të fundit