PD: Rama po zëvendëson shtetin ligjor me një regjim policor

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, përmes një postimi në Facebook ka reaguar për ndryshimet  në ligjin e Policisë së Shtetit.

Duke akuzuar kryeministrin Rama se po zëvendëson shtetin ligjor me një regjim policor, Bardhi shton se kjo po ndodh pa autorizim të prokurorisë apo pa vendim të gjykatës.

Sipas numrit dy të PD-së, kjo thellon sjelljen antidemokratike të Edi Ramës dhe minon seriozisht rrugën europiane të Shqipërisë.

“Edi Rama po zëvendëson shtetin ligjor me një regjim policor, në shkelje të Kushtetutës dhe në dhunim flagrant të të drejtave të njeriut.

Ligji për përgjimin e qytetarëve nga Policia, pa autorizim të prokurorisë apo pa vendim të gjykatës, thellon sjelljen antidemokratike të Edi Ramës dhe minon seriozisht rrugën europiane të Shqipërisë.

Për Partinë Demokratike ligji është antikushtetues dhe i papranueshëm”, shkruan Bardhi në Facebook.