PD sulmon Ramën dhe Veliajn: Po grabisin 15 ha të Kopshtit Botanik për të ndërtuar kulla betoni

Ish-deputeti demokrat Luçiano Boçi, përmes një deklarate për mediat ka sulmuar kryeministrin Rama dhe kryebashkiakun Veliaj me akuzën se “po grabisin 15 HA të Kopshtit Botanik, ku do të ndërtojnë kulla betoni, pa konsultimin me Rektoratin dhe instanca të tjera.”

Vendimi sipas ish-deputetit demokrat eleminon punën shkencore në FSHN duke goditur procesin akademik.

“Ky vendim është vjedhja më e madhe që i bëhet sot Universitetit dhe është në kundërshtim të plotë me ligjin e Arsimit të Lartë dhe statutin e Universitetit te Tiranës, të cilët nuk lejojnë trasferimin e pronësisë dhe ndryshimin e destinacionit të saj.

Kjo vjedhje me VKM speciale, eleminon krejtësisht punën kërkimore shkencore në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe i jep një goditje fatale procesit akademik.

Në vend që të rrisë financimin për Arsimin e Lartë dhe kërkimin shkencor, Edi Rama, përkundrazi, i heq të drejtën e pronësisë.

Në vend që t’i ndihmojë për të ndërtuar laboratorë shkencorë për procesin mësimor, Rama i eleminon laboratorin më të madh natyror për të ndërtuar dhe për të pastruar paratë e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në vend t’i japë  frymëmarrje Universitetit, Rama godet autonominë dhe lirinë akademike të tij me harbutëri dhe padrejtësi”-tha ndër të tjera Luçiano Boçi.

Ish-deputeti u bën thirrje pedagogeve, studenteve dhe qytetarëve të solidarizohen sot në 11.00 pranë Liceut Artistik, kundër këtij vendimi.