Flash News

KRYESORE

PD thirrje SHBA e BE pas përgjimit të Zaev: Projekt kundër paqes në rajon, mos e lejoni!

PD thirrje SHBA e BE pas përgjimit të Zaev: Projekt kundër paqes

Partia Demokratike i ka drejtuar një thirrje SHBA dhe BE që të mos lejojnë zbatimin e projektit që parashikon ndarjen e Kosovës.

Përmes një deklarate për mediat, ish deputeti Aldo Bumçi shprehet se përgjimi i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev pohoi edhe një herë që projekti për ndarjen e Kosovës është i vërtetë.

Sipas PD, ndryshe nga çfarë është përpjekur ta paraqesë Edi Rama, në fakt ky është një projekt që i shërben interesave serbe dhe ruse, duke cenuar rëndë interesat e Kosovës.

“Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev pohon dhe një herë që projekti për ndarjen e Kosovës është i vërtetë, dhe ndryshe nga çfarë është përpjekur ta paraqes Edi Rama në fakt ky është një projekt serb që i shërben interesave serbe dhe ruse, dhe qarqeve të caktuara që janë të interesuara për çdo lloj skenari ogurzi duke cenuar rëndë interesat e Kosovës.

Kjo është tradhti e lartë ndaj interesave kombëtare dhe mos distancimi për asnjë moment i Edi Ramës nga ky projekt, dhe me keq akoma vazhdimi i mbështetjes së këtij projekti me deklarata dhe forma të tjera edhe pas Samitit të Berlinit tregon që Rama dhe bashkëpunëtorët e tij vazhdojnë me këmbëngulje në këtë drejtim.

Ky është një lajm ogurzi për Kosovën, Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët në rajon, që tregon se fatet e kombit janë në duart e një grupi njerëzish të papërgjegjshëm që për interesat dhe pushtetin e tyre personal janë gati të tregtojnë dhe të zhbëjnë arritjet historike që kanë ardhur nga sakrifica sublime.

Partia Demokratike i bën thirrje shqiptarëve dhe partnerëve tanë strategjikë SHBA dhe BE  që të mos lejojnë zbatimin e këtij projekti anti-europian dhe anti-NATO që është kundër paqes, stabilitetit dhe bashkëjetesës në rajon dhe më gjerë”, shprehet Bumçi.

Të fundit