Flash News
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
PD zbardh takimin Basha-Arvizu-Lu: Nuk ka zgjedhje të lira me këtë qeveri
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mirëpriti sot zotin Alexandër Arvizu, zëvendës ndihmës Sekretar amerikan i Shtetit për çështjet e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve e zbatimit të ligjit dhe ambasadorin e SHBA-ve në Tiranë, Donald Lu.
Biseda u përqendrua tek çështjet e aktualitetit politik, në kushtet kur Departamenti i Shtetit dhe EUROPOL raportuan muajin e kaluar se gjatë vitit 2016 Shqipëria është kthyer në prodhuesin dhe shpërndarësin kryesor të marijuanës në Europë dhe në një vend kyç për trafikun e heroinës, pastrimin e parave të krimit dhe në një bazë rajonale për krimin e organizuar.
Kryetari i opozitës vuri në dukje se raportet e qeverisë amerikane dhe të Bashkimit Europian janë konfirmim i kriminalizimit dhe kapjes së shtetit nga krimi, që Partia Demokratike ka paralajmëruar këto vite si rrezikun kryesor që i kanoset politikës, ekonomisë dhe të ardhmes së Shqipërisë.
Basha theksoi se gjendja dramatike që po kalon vendi është rezultat i drejtpërdrejtë i akteve të vetëdijshme të kryeministrit Rama, i cili përzgjodhi në Kuvend, në krye të bashkive dhe në poste të larta shtetërore persona me të shkuar kriminale, kryesisht në fushën e trafikimit ndërkombëtar të drogës.
Për shkak të kapjes nga krimi dhe dështimit në qeverisje, kryeministri Rama minoi procesin e dekriminalizimit, projektoi kanabizimin e vendit, nuk luftoi krimin dhe nuk ka bashkëpunuar me organizmat ligjzbatuese të vendeve partnere. Prandaj kjo qeveri dhe ky kryeministër nuk kanë as vullnet dhe asnjë mundësi të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Interesi i tij dhe i bashkëpunëtorëve të tij është ruajtja e pushtetit me çdo kusht.
Në këto kushte, rruga e vetme për të siguruar zgjedhje të lira është krijimi i një qeverie teknike, me një mandat të qartë për zbatimin e menjëhershëm të ligjit të dekriminalizimit, parandalimin e rikanabizimit të vendit dhe luftën kundër drogës dhe parave të drogës, si dhe organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, theksoi kryetari i opozitës në takimin me zyrtarët e lartë amerikanë.
Politiko.al zbardhi më herët propozimin e amerikanëve për të qenë ata negociatorët për zgjidhjen e krizës politike, variant që është pranuar nga Basha.