Flash News

KRYESORE

PDIU përçahet me Edi Ramën, tre deputetët e saj kundër kryeprokurorit të përkohshëm

PDIU përçahet me Edi Ramën, tre deputetët e saj

Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet ka vendosur që të mos mbështesë kryeministrin Edi Rama në vendimin e njëanshëm për të zgjedhur me 36 vota kryeprokurorin e përkohshëm, pa kaluar as në vetting.

Me anë të një deklarate, PDIU sqaron se tre deputetët e saj në Kuvendin e Shqipërisë nuk do të marrin pjesë në asnjë komision dhe në asnjë votim ku shkelet Kushtetuta e vendit. Kjo parti thekson se zgjidhja në këtë situatë nuk janë marrëveshjet e pista të natës.

Reagimi:

Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet qysh në fillim ka dhënë mbështetje pa kushte për Reformën në Drejtësi duke besuar dhe shpresuar, se do të ishte një fillim i ri për rivendosjen e shtetit ligjor në shërbim të qytetarëve. Pas kaq muajsh vërejmë zvarritje pa asnjë shkak të reformës dhe akoma më keq, sot po tentohen të zëvëndësohen organet e rëndësishme që kemi miratuar me Kushtetutë, me arrogancë dhe vullnet të njëanshëm nëpërmjet miratimit me vota minimale me një kuorum qesharak prej 36 votash të postit të Prokurorit të Përgjithshëm.

Theksojmë se Prokurori i Përkohshëm i cili mund të zgjidhet sipas interpretimeve të mazhorancës edhe me 36 vota, nuk ka asnjë referencë në ndryshimin që kemi bërë bashkërisht në nenin themeltar të shtetit, në Kushtetutë. Ndaj sot përtej arrogancës personale do duhet të jemi të gjithë bashkë për të gjetur një zgjidhje. Theksojmë se zgjidhja nuk janë marrëveshjet e pista të natës, që e kanë çuar vendin në këtë klimë armiqësore e varfërie të skajshme, por ndryshimet ligjore të cilat i celin rrugë një drejtësie të lirë dhe që nuk është peng i politikës.

Pdiu nuk do të marrë pjesë në asnjë komision apo votim ku shkelet Kushtetuta e vendit.

Të fundit