Flash News

KRYESORE

Penguan punën për hetimin e Tahirit, PD: Të shkarkohet Fatmir Xhafaj dhe Ardi Veliu

Penguan punën për hetimin e Tahirit, PD: Të shkarkohet Fatmir

Partia Demokratike i ka dërguar një letër kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi ku thuhet se Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë penguar punën e komisionit hetimor parlamentar i ngritur për çështjen ‘Tahiri’.

Në letrën e PD thuhet se të dyja këto institucione nuk kanë vënë në dispozicion të Komisionit informacionet e kërkuar në rrugë zyrtare.

“Edhe pse Komisioni Hetimor, që prej muajit Prill 2018, ka kërkuar informacione nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, deri më sot, në kundërshtim me Kushtetutën dhe me ligjin, Komisionit nuk i është vënë në dispozicion asnjë e dhënë apo dokumentacion i kërkuar, duke pamundësuar punën e tij”, thuhet në letrën e cila mban firmën e Edi Palokës.

Në letrën në fjalë, thuhet gjithashtu se “pengimi i Komisionit Hetimor është bërë me qëllim për të fshehur gjurmët e lidhjes së Qeverisë me krimin e organizuar dhe për asgjësimin e informacioneve dhe provave që përfshijnë në veprimtari kriminale vëllain e dënuar për trafik droge të Ministrit aktual të Brendshëm Fatmir Xhafaj, si dhe vetë eksponentët e lartë të Partisë Socialiste si Saimir Tahiri, Fatmir Xhafaj, Taulant Balla, Jyrgys Çyrbja, etj”.

PD i kërkon Ruçit që të marrë masat e duhura për të vënë përpara përgjegjësisë politike dhe ligjore Ministrin e Brendshëm dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit teksa i rikujton se pengimi i qëllimshëm i punës së Komisionit Hetimor përbën shpërdorim detyre që sjell shkarkimin nga detyra.

“Kërkojmë nga Kuvendi i Shqipërisë qëndrim të prerë ndaj aktit të pengimit të veprimtarisë së Komisionit Hetimor, duke marrë masat e duhura për të vënë përpara përgjegjësisë politike dhe ligjore Ministrin e Brendshëm dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Pengimi i qëllimshëm i Komisionit Hetimor përbën shpërdorim detyre, që sjell shkarkim nga detyra dhe përgjegjësi penale”, thuhet në letrën e Palokës.

Në cilësinë e kryetarit të komisionit hetimor i ngritur për çështjen ‘Tahiri’ Paloka kërkon që Kuvendi të shtyjë me tre muaj punën e këtij komisioni, afati i të cilit përfundoi ditën e sotme.

Të fundit