Flash News
Shoferja humb kontrollin në aksin Devoll-Miras, dy të plagosur
SPAK sekuestron pasuritë e dy ortakëve të Evis Berberit
Goro në burg, Blerina Balaj komandohet kryetare e Bashkisë Himarë
Video/ Tensione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Himarës, qytetari pështyn në fytyrë Vangjel Tavon
Olsi, ashtu si Edi, qenka burrë p….
Preç Zogaj /Gazeta Liberale
Asnjë parti, grup partish apo individ nuk mund të fitojë beteja politike në Shqipërinë demokratike pa mbështetjen e partnerëve amerikanë dhe europianë. Shqipëria e tri dekadave të fundit e ka konfirmuar si aksiomë këtë pohim. Për fat. Skena në vendin tonë është tre polare. Shumica-Opozita- Partnerët Perëndimorë. Dy të parat alternohen në pushtet, faktori i tretë është konstant. Ushtrimi është i thjeshtë. Për të shpresuar fitoren, opozita, minimalisht, duhet të sigurojë një qëndrim të baraslarguar të SHBA dhe BE-së përkundrejt saj dhe qeverisë.
Qëndrim i baraslarguar ka rezultuar të jetë ai, kur ndërkombëtarët kanë parë se rrotacioni i pushtetit nuk do të sillte asnjë problem në orientimin gjeostrategjik të vendit dhe në avancimin e përparësive të përbashkëta, siç ka qenë, fjala vjen, hyrja në NATO në vitin 2015, apo siç është sot lufta kundër pandëshkuershmërisë në sferat e larta nëpërmjet reformës në drejtësi. Nëse me njerëzit, me sjelljen, me programin dhe me garancitë e saj opozita siguron me shumë se këtë lloj baraslargësie , pra edhe simpati e mbështetje nga amerikanët dhe europianët, sidomos nga amerikanët, fitorja e saj është thuajse e sigurt. Jo se partnerët ndërhyjnë me ndonjë shkop magjik, por qëndrimi i tyre reflektohet menjëherë në zgjedhjen e qytetarëve.
Perceptimi se kjo apo ajo forcë, ky apo ai lider kanë mbështetje amerikane është faktor elektoral në Shqipëri. SHBA nuk kanë ketë peshë kudo. Ato shërbejnë politikat e integrimit euroatlantik në vendet sllave të rajonit gjithashtu, por kanë një kuptim të arsyeshëm në lidhje me ndasitë dhe dyzimet e partive për orientimin në këto vende. Kurse në Shqipëri, me statistika të përtërira sistematikisht, shumica dërmuese e qytetarëve shqiptarëve kanë orientim perëndimor. Do të thotë se lojërat politike me kursin pro amerikan, të maskuara apo të pamaskuara, përbëjnë një devijim nga ajo që duan qytetarët dhe nuk miratohen .
Të gjithë këto janë thënë e do të vazhdojnë të thuhen sa herë të jetë e nevojshme. Duhet nënvizuar ndërkaq një gjë që shumë e mendojnë por pak e pohojnë: karta apo epërsia që vijon të ketë kryeministri Edi Rama ndaj kundërshtarëve në vend janë marrëdhëniet e tij të mira me Uashingtonin, Berlinin dhe kryeqytetet e tjera të Perëndimit. Në Uashington e dinë shumë mirë çfarë ka thënë për Presidentin Trump para katër vjetësh. Edhe në Berlin e dinë se Rama i përket një formacioni politik të majtë të ndryshëm nga ai që ka udhëhequr e udhëheq kancelarja Merkel. Politika reale ndjek një logjikë shumë me komplekse se këto. Shkurt fjala, ndërkombëtarët, pa fshehur apo rrumbullakosur asgjë që lidhet me gjendjen e demokracisë në Shqipëri, janë përcaktues qoftë për kursin, qoftë për zgjidhjen e ngërçeve politike në Shqipëri.
Ata i kanë shënuar dhe pasqyruar në raportet e tyre për Shqipërinë denoncimet e drejta të opozitës, të shtypit kritik apo grupeve të interesit, por nuk kanë shkuar më larg që t’i heqin besimin publikisht kryeministrit dhe qeverisë së tij. Ka plot që duan ta shpjegojnë këtë me shprehjen e njohur se ndërkombëtarët duan stabilitetin në vend të demokracisë. Kjo është e vjetër dhe ha shumë diskutim në ditët tona në rrafshin praktik dhe teorik.
Çështja është më e thellë. Duhet analizuar me realizëm dhe profesionalizëm nga opozita pse mbështetet Rama dhe mbi ketë bazë duhet ndërtuar strategjia dhe sjellja politike. Askush nuk është i ndaluar ta shpjegojë ketë në mënyrë sipërfaqësore, skematike apo të trashë dhe të ngushëllojë vetën e njerëzit që ka përqark, duke u thënë, se i ka blerë të gjithë e mbroçkulla të tilla idioteske, që fyejnë integritetin e politikanëve që drejtojnë vendet me të zhvilluara të botës oksidentale. Guri i provës, sipas mendimit tim, ka qenë dhe mbetet qëndrimi ndaj Reformës në Drejtësi, si prioritet amerikan dhe europian në vendin tonë.
Pavarësisht se çfarë ka në zemër, Rama ka qenë në sintoni me autorët realë të konceptimit dhe zbatimit të kësaj reforme. Ndërkohë që opozita ka notuar herëpashere nëpër ekuivoke dhe ka ndërmarrë akte ekstreme jo adekuate me shkaqet që i kanë prodhuar. Fjala është për djegien e mandateve dhe bojkotimin e zgjedhjeve. Këto akte pa precedent kanë pasur e vijojnë të kenë aty ku shfaqen sërish në forma të tjera një lexim shumë specifik të disfaforshëm për opozitën nga ana e administratës amerikane dhe nga Gjermania. Kjo ka bërë që Ramës ti shkojë një mbështetje që nuk do ta kishte nëse opozita do të ndiqte në çdo qëndrim të saj qëllimet madhore të reformës dhe do të kalibronte një opozitarizëm efikas që reflekton deri në fjalët dhe tonet e përdorura dinamikën e ngjarjeve në vend. Gjë që ka filluar ta bëjë kohët e fundit. Për të mos u zgjatur, marrëdhëniet e mira të sintonisë dhe bashkëndarjes së qëllimeve strategjike dhe sjelljes demokratike me SHBA dhe BE janë jetike për suksesin e opozitës dhe faktorëve të tjerë institucionalë, siç është Presidenti Meta.
Marrëdhëniet e mira e përmbajnë si të domosdoshme paraqitjen me fakte dhe argumente të gjendjes në Shqipëri dhe të përgjegjësive konkrete te qeverisë së Ramës. Këtu lipset vërtetësi, profesionalizëm, maturi, etikë. Sepse nuk je duke bërë një status për militantët, por je duke komunikuar me nivelin më të lartë të politikës perëndimore.
Nga kjo pikëpamje, Presidenti Meta mund ta kishte menduar më mirë gjestin e tundjes së flamurit të SHBA që provokoi reagimin pa precedent të ambasadores amerikane, Yuri Kim. Ambasada e lexoi si një gjest me të cilin Meta kërkonte të përcillte mesazhin e mbështetjes së tij nga SHBA. Duke reaguar në emër të vendit që përfaqëson, ambasadoresha e re bëri të qartë mesazhin e kundërt, atë të mosmbështetjes së manifestimit të Metës nga SHBA, çfarë i krijon probleme PD-së dhe Bashës, që kanë konsumuar një sezon gri me SHBA gjatë protestave vitin e shkuar dhe nuk do të donin të ktheheshin, ma merr mendja në pikën e nisjes.
Duke qëndruar në këtë temë, Meta duhet të adresojë dhe specifikojë denoncimin që bëri në të njëjtin manifestim ndaj asaj që ai e quajti “organizatë ndërkombëtare”, e cila po komploton kundër sovranitetit të Shqipërisë. Është legale apo okulte kjo organizatë? Është e vendosur në Perëndim apo në Lindje? Në favor të kujt komploton kundër sovranitetit të Shqipërisë? Ne jemi vend i NATO-s me të cilën ndajmë çështjet e sigurisë së përbashkët. Përballimi i rreziqeve në rrafshin e sigurisë dhe sovranitetit kombëtar nuk mund të behët pa SHBA dhe NATO-n.
Lënia pezull e organizatës krijon lloj-lloj aludimesh që u shkojnë vetvetiu politikave zyrtare të SHBA dhe BE-së për Shqipërinë. Të kuptohemi: Meta dhe politikanë të tjerë të Tiranës mund të jenë kundër qëndrimeve të caktuara të Uashigtonit e Brukselit, apo kundër zyrtarëve që flasin në emër të këtyre vendeve. Historia e demokracisë sonë të re njeh jo pak shembuj të tillë. Në tërësi, ata që i kanë mbajtur kanë qenë pro amerikanë dhe proeuropianë në orientim. Ka një dallim të qartë mes properëndimorëve që nuk janë servilë dhe sovranistëve të tipit të vjetër që ngrihen kundër partnerëve për t’u kapsuluar në interesat e pushtetit të tyre.
Nëse e ka me qëndrimet zyrtare te shteteve, Meta duhet të jetë konkret gjithashtu. Me cilin qëndrim? Që është mbajtur nga kush? Që është mbajtur kur? Në këtë mënyrë marrëdhëniet e miqësitë zhvillohen në dinamikën e shkëmbimit lirisht dhe me transparencë të mendimeve dhe vetëm shëndoshen e forcohen.
Për t’u kthyer ku e nisëm, shqiptarët jetojnë në një botë të hapur prej tre dekadash. Ata e dinë shumë mirë se atdhetarizmi dhe integrimi në familjen e kombeve të lira janë sot anë të së njëjtës medalje. Nga përvoja shekullore dinë edhe tjetrën: që partitë dhe politikanët me të mirë janë ata që ndajnë formimin dhe projektin e tyre politik me SHBA dhe BE. Fitoret pa SHBA dhe BE apo kundër tyre janë të pamundura. Për me tepër, fitore të tilla nuk na duhen edhe po ta çojë dreqi të jenë të mundura.