Flash News

OP-ED

Për sa kohë mund ta shmangë Ramën dhe pse mungesa e Bashës nuk ishte fitore

Për sa kohë mund ta shmangë Ramën dhe pse mungesa e

Alfred Lela

Kryetari i Partisë Demokratike ka rrezellitur shpërfillje me mungesën në tryezën e Këshillit Politik ku kundërshtari i tij, kryeministri Rama, u shfaq sot pa qeder dhe me maskë të zezë. Demokratët dhe bashistët i janë gëzuar këtij fakti, më shumë se nevojitet duhet thënë, duke mbilexuar te mosprania e shefit të tyre në tryzën e debatit për reformën zgjedhore. Një njohje e përciptë e vizitave zyrtare të lë të kuptosh se mungesa e Bashës në tryezë nuk duhet parë si shpërfillje apo trimëri, por, në këtë rast, si pamundësi.

Përgatitja e vizitës në Kosovë ka dashur lobimin, parapërgatitjet, kujdesin, por edhe kohën e vet, që do të thotë se ajo ka qenë e paracaktuar, me siguri prej disa ditësh për të mos thënë javësh. Në këtë kuptim Basha nuk nuk mund ta anulonte një vizitë të programuar në Kosovë për të qenë në një tryezë politike të brendshme, sado e rëndësishme kjo.

Do të përbënte naivitet politik nëse ai, në kësi rasti, do të linte Prishtinën për Tiranën. Afërmendsh, vizita në kryeqytetin e Kosovës i siguron shefit demokrat një profil më të lartë dhe një ekspozim politik më të parapëlqyer se sa ulja përballë Ramës, e cila nuk do të përfundonte me më shumë se tekstet tashmë të dëgjuara të dy aktorëve partiakë dhe suspansën e hiperbolizuar të video-lojës që fusin në përdorim televizonet 24 orëshe të lajmeve.

Çdo interpretim tjetër është përpjekje për të nxjerrë prej mungesës së Bashës partitura ‘vagneriane’, gjithsesi stonative. Siç, çdo mejtim se, në rastin e kundërt, mosangazhimi në vizitën e Kosovës dhe njëherësh mungesa në tryezë, do të kishte qenë e pranueshme, është miopi klasike. Basha është i dënuar me ‘reciprocitet’ në rastin e Ramës dhe nuk mund të mungojë ‘pa arsye’ në një tryezë të nivelit më të lartë. Nëse ka vendosur të mungojë, për (mos)arsyet  e veta, shefit të demokratëve i duhet të ketë ose shpikë akte komunikimi politik të ngjashme, si vizita në Kosovë. Ai nuk mund të jetë ‘duke fjetur gjumë’ dhe të lërë z. Bardhi si kryenegociator të opozitës. Ramës i intereson të krijojë iluzionin e gjithëpërfshirjes, ndërsa Bashës të mbajë konstante idenë e lojtarit të rëndësishëm. Edhe nëse tryeza dështon, publiku ka nevojë të dëgjojë prej aktorëve kryesorë arsyet e dështimit dhe ‘fajet’ e Ramës. Sekretari i Përgjithshëm i PD mund t’a interpretojë shumë mirë, në rrafsh teknik, tyezën dhe arsyet e dështimit, por njerëzit kanë nevojë apriore për të dëgjuar ‘kambanat politike’.

Jemi në paradoksin ekselent të së ashtuquajturës kryetarokraci: Dëshirën që në parti të mos ketë profile të larta përveç baobabit të kryetarit, dhe pamundësisë së ‘profileve në hije’ për t’u ngritur në lartësinë e oreksit publicitar të publikut kur shefat duan.

Basha ka bërë mirë që ka shkuar në Prishtinë, sepse një vizitë e tillë e bën të duket kryeministror, por kur të jetë në Tiranë nuk mund ta shmangë as Ramën dhe as tryezën e Këshillit Politik; nëse kryeministri merr pjesë në të.

Me atë që kërkon të zëvendësosh, je i dënuar të ulesh, urrehesh, negociosh.

 

Të fundit