Flash News

KRYESORE

Përcollën për në banesën e fundit të madhen Hajrie Rondo, fjalët e ndjera të kolegëve: E papërsëritshme!

Përcollën për në banesën e fundit të madhen Hajrie

Është përcjellë për  në banesën e fundit aktorja Hajrie Rondo, e ndarë nga jeta një ditë më parë në moshën 66-vjeçare.

Në ceremoninë e thjeshtë që i bënë familjarët e saj në fshatin Himarë, kanë marrë pjesë dhe miq, të afërm dhe kolegë të aktores së madhe.

E gjitha trupa e teatrit Bylis të Fierit ishte prezent për t’i dhënë lamtumirën aktores brilante të shumë karaktereve, Hajrie Rondo, që do të jetë një shembull frymëzimi për brezat e rinj të aktorëve në Shqipëri.

Shumë prej aktorëve me të cilët Hajrie Rondo ka ndarë skenën, apo rolet e saj në filmat artistikë treguan momente nga jeta e saj ndër vite.

“Unë Hajrien do ta mbaj mend nga vitet ’73, Hajria do të mbetet për mua një nga personazhet, që çdo nënë do të shikojë nga aktoret e reja, do të më kujtohet ajo”, shprehet Arqile Lipe, pyetur nga Top Channel.

Ndërsa Luftar Paja, mes dhimbjes për ndarjen nga jeta të aktores u shpreh, “Hajrie ishte një talent i rrallë. U përshtat shumë shpejt me atmosferën që ishte në atë kohë. Mbi të gjitha unë dua të them që jo vetëm arti fierak, por arti shqiptar në përgjithësi humbi një figurë që për llojin e saj është e papërsëritshme”.

I paharraur qoftë kujtimi i aktores së pazëvendësueshme Hajrie Rondo, e cila la gjurmë të mëdha në kinematografinë shqiptare.

 

Të fundit