Përdornin kafshë për transportin e drogës drejt Maqedonisë së Veriut, arrestohen trafikantët

Dy persona janë arrestuar nga policia e Elbasanit gjatë operacionit ‘Rrajca’, pasi transportonin rreth 55 kilogramë kanabis me mushkë drejt Maqedonisë. Të arrestuarit janë A.B 47 vjeç dhe I.B 22 vjeç, banues në fshatin Sutaj-Prrenjas.

Arrestimi i tyre është bërë gjatë mbrëmjes së djeshme në orën 21:30 në fshatin Rrajcë-Sutaj ku të dy të arrestuarit po tentonin të kalonin drejt Maqedonisë nëpërmjet kufirit të gjelbërt. Sipas policisë këta dy persona kanë bashkëpunuar me të tjerë për trafikun e drogës. Policia kishte marrë informacione për këtë grup dhe në fund ka realizuar me sukses arrestimin e dy trafikantëve.

Ata do të përballen me akuzën për veprën penale,  “Trafikimi i narkotikëve e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë”.