Flash News

KRYESORE

Perëndimi nuk do të tolerojë bashkëpunimin ushtarak mes Moskës dhe Beogradit

Perëndimi nuk do të tolerojë bashkëpunimin ushtarak mes

Gojko Vllaoviç / Gazeta Danas

 

Fakti që Rumania para pak kohësh ndaloi për transport të mëtejshëm anijet në të cilat gjendeshin armatime të destinuara për Serbinë përbën një mesazh të qartë të NATO-s se nuk ka për të toleruar më çfarëdolloj bashkëpunimi mes Moskës dhe Beogradit- thotë për gazetën „Danas“, analisti ushtarak Aleksandër Radiç.

Ministria e mbrojtjes e Rumanisë këto ditë informoi se, mbi bazën e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, për shkak të situatës në Ukrainë ka bllokuar dërgesën që transportohej me rrugë lumore të armatimeve ushtarake për Serbinë.

Ministria ruse e mbrojtjes reagoi në mënyrë shumë energjike ndaj këtij akti me të cilin mohonte të gjitha konstatimet e Bukureshtit zyrtar. Moska pohon se asnjë pajisje ushtarake nuk është transportuar nëpërmjet Lumit Danub drejt Serbisë, kështuqë pala rumune nuk duhej të ndalonte atë transport drejt Serbisë. Ministria ruse e mbrojtjes gjithsesi pohon se dërgesa në fjalë ishin pajisje dërguar Serbisë sipas marrëveshjes dhe se në përputhje me këtë marrëveshje, Beogradit po i dërgoheshin një numër i caktuar autoblindësh BRDM-2. Dhe me të vërtetë gjatë demonstrimit të djeshëm të armatimeve në kazermën „Mijo Stanimiroviç“ në Nish u shfaqën dhjetë automjete të blinduara vëzhgues të tipit BRDM-s, të cilat Federata Rusa ia ka dhuruar Serbisë.

I pyetur nga gazetarët sesi këta transportues të blinduar kanë hyrë në territorin e Serbisë kur dihet se Rumania ka refuzuar ta lejojë transportin nëpërmjet territorit të saj, Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, i cili ishte i pranishëm në demonstrimin ushtarak në Nish, nuk deshi të përgjigjej. Madje ai me këtë rast tha se automjetet „kanë ardhur në njëfarë mënyre“ dhe se „kanë rënë nga qielli“, dhe në konferencën për shtyp shpjegoi se me hyrjen e këtyre automjeteve në territorin e Serbisë nuk janë shkelur normat. E gjitha kjo e hutoi pak a shumë opinionin publik, ose më mirë të themi hapi dilemën sesi kanë mundur të hyjnë në Serbi këto transportues nëse më parë ishin bllokuar në Rumani.

-Është plotësisht e logjikshme të supozosh se këta transportues të blinduar BRMD-2 janë transportuar nga Rusia në Serbi me avionë. Fjala është për autoblindat që u shfaqën në demonstrimin e Nishit. Nga ana tjetër, në Danub, rumunët kanë ndaluar anijet me të cilat rusët, për nevojat e Serbisë transportonin tanke që janë shumë më të rëndë se autoblindat, e kësisoj është krejt e zakonshme që në vend të transportit me avionë ata të transportohen me anije nëpërmjet lumit Danub. Kjo dërgesë është ndaluar dhe me këtë i është dërguar një mesazh politik Serbisë nga ana e NATO-s dhe e BE-së i cili thotë pak a shumë se „nuk kemi për të lejuar më bashkëpunimin tuaj ushtarak me Moskën. Deri tani kemi injoruar stërvitjet tuaja ushtarake të përbashkëta dhe dërgesat e armatimeve, por tani nuk do ta bëjmë më“. Rusët, për të ruajtur fytyrën, publikuan deklaratën në të cilën bënin një përgënjeshtrim të ashpër dhe tani i takon Beogradit të mendohet mirë nëse bashkëpunimi ushtarak me Rusinë në cilëndo formë është oportun në situatën në të cilën Serbia dëshiron të integrohet në BE, dhe ndërkohë që vendi është i rrethuar nga antarë të NATO-s. I takon Beogradit të vlerësojë nëse bashkëpunimi ushtarak me Moskën në këto kondita është i përshtatshëm për të ose jo“- nënvizon bashkëbiseduesi ynë.

Radiçi shton se sanksionet e BE-së që i janë vënë Rusisë në kuptimin ushtarak nuk e dëmtojnë Serbinë në asnjëfarë mënyre, sepse nga vendet e BE-së mund të marrim pajisje dhe armatime për mjete që tashmë i disponojmë.

-Tranportuesit e blinduar BRDM i blejmë nga Moska që në vitin 1957. Automjete të tilla, si dhe tanke ruse, kemi më shumë sesa kemi tankistë. Nga kjo mund të konkludohet lehtë se për ne armatimi rus nuk është prioritet, dhe se nuk humbasim asgjë nga sanksionet që BE-ja i ka vënë këtij vendi. Megjithatë, edhe për faktin se bëhet fjalë për një model të avancuar, ushtria e Serbisë me marrjen e tranportuesve BRDM-2 nuk fiton asgjë në kuptimin e modernizimit të arsenalit të saj të armëve dhe pajisjeve ushtarake. Nëse merret parasysh një gjë e tillë, atëherë përsëri shtrohet pyetja logjike sesi, në një situatë të tillë, Serbisë i shkon për shtat bashkëpunim ushtarak me Rusinë“- konkludon Radiçi.

*Përktheu për Politiko.al: Xhelal Fejza

Të fundit