Flash News

KRYESORE

Përfundon pas 6 orësh intervistimi i Thaçit; Presidenti del nga godina e Prokurorisë i heshtur

Përfundon pas 6 orësh intervistimi i Thaçit; Presidenti del nga

Pa koment ka hyrë dhe ka dalë nga ndërtesa e Prokurorisë së Posaçme në Hagë, Hashim Thaçi, ndërtesë në të cilën do të kthehet edhe nesër për të vazhduar ditën e tretë të intervistimit pas akt-akuzës për krime lufte.

Edhe sot, sikurse dje, intervistomi i tij ka zgjatur plotë gjashtë orë, nga ora 13:00 deri në 19:00. Avokati i tij mbrojtës është amerikani Pierre-Richard Prosper, i cili në pjesën e dytë të viteve të 90-ta kishte qenë prokuror në Gjykatën Ndërkombëtare të OKB-së për Ruandën.

Ai kishte shërbyer si prokuror në Departamentin amerikan të Drejtësisë, por edhe në poste të tjera përfshirë atë ambasadorit për çështje të krimeve të luftës në periudhën e administratës së presidentit George Bush.

E vetmja gjë e thënë nga Thaçi gjatë këtyre dy ditëve është një deklaratë e shkurtër dje; se ka dëgjuar “shkëmbimet mbi teknikalitetet ndërmjet prokurorit dhe avokatit të tij mbrojtës dhe kjo do të vazhdojë nesër”.

Kujtojmë se, Prokuroria e Posaçme me 24 qershor publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Para se të hynte në ndërtesën e prokurorisë ditën e djeshme, presidenti Thaçi tha se është i gatshëm të përballet me atë që ai e quajti sfidë të re ndërsa nënvizoi se askush nuk mund ta rishkruajë historinë.

Akuzat i janë dorëzuar një gjykatësi të procedurës paraprake i cili duhet të vendosë për konfirmimin apo hedhjen poshtë të tyre. Në pritje të një vendimi presidenti Thaçi tha pas publikimit të njoftimit të prokurorisë së është i gatshëm të jap dorëheqjen.

Publikimi i akuzave muajin e kaluar nxiti reagime në shkallë të gjerë dhe kritika ndaj prokurorisë, veprimi i së cilës u cilësua nga vëzhgues në Kosovë si politikisht i motivuar. Kjo pasi bëri që të anulohet takimi i 27 qershorit mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, i cili do të kryhej me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan, Richard Grenell.

Të fundit