Përfundon takimi i Metës me ambasadorët e BE, ç’u diskutua në 60 minuta “kokë më kokë”

Përfundon takimi i presidentit Ilir Meta me ambasadorët e Bashkimit Evropian.

Takimi në presidencë ka zgjatur rreth 60 minuta, mes kreut të shtetit dhe ambasadorëve të Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Spanjës, Francës, Italisë ndërsa pak ditë më parë Meta zhvilloi një takim edhe me ambasadoren e SHBA, Yuri Kim (kjo e fundit një ditë pas takimit me Ramën në kryeministri).

Burimet bëjnë me dije se në fokus të takimit mes tyre ka qenë integrimi i vendit dhe aktualiteti politik në vend, një ditë pas votimit në Kuvend të marrëveshjes së 5 qershorit me 99 vota pro.

Megjithatë, debati politik vijon të jetë i ‘ndezur’, për shkak të nismës së mazhorancës dhe opozitës parlamentare për ndryshimet kushtetuese, debat që po vijon të diskutohet në tryezën e Këshillit Politik.

Ndërkombëtarët kanë përsëritur vazhdimisht apelin se nisma për ndryshime kushtetuese që sanksionon në hapje listash dhe ndalim koalicionesh të diskutohet në Këshillin Politik dhe të jetë gjithëpërfshirës.